
Këshilltarët bashkiakë të PS mblidhen sot për të nisur procedurën për shkarkimin e Erion Veliajt. Një procedurë në fakt e pakuptimtë ligjërisht, por që thjesht plotëson dëshirën dhe vullnetin e Edi Ramës që në Tiranë të zhvillohen zgjedhje lojale brenda muajit tetor. Logjikisht, kryeministri ka të drejtë të kërkojë që punët e Tiranës të ecin sipas planeve të tij. Por për sa kohë kryetari i bashkisë ndodhet pas hekurave pa një vendim të formës së prerë, shkarkimi i tij kërkon pikë së pari respektimin e ligjit dhe Kushtetutës.
Çfarë thotë ligji për shkarkimin e kryetarit të bashkisë
Kushtetuta
Neni 115 i Kushtetutës parashikon vetëm një mekanizëm të kufizuar: kryetari i bashkisë, si organ i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Nëse merret një vendim i tillë, kryetari ka të drejtë ankimi brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Ky ankimi pezullon automatikisht vendimin e qeverisë dhe i kalon Gjykatës detyrën për të shqyrtuar në themel nëse shkelja ka ndodhur dhe nëse ajo është e natyrës “së rëndë”. Në rast se Gjykata Kushtetuese lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave, Presidenti i Republikës është i detyruar të shpallë zgjedhjet e reja.
Ligji për pushtetin vendor
Ligji i vitit 2015 për pushtetin vendor, në nenin 62, detajon tre hipoteza për shkarkim:
• kur kryetari kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
• kur ai dënohet për një vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë;
• kur këshilli bashkiak propozon shkarkimin për mosparaqitje të pandërprerë në detyrë për një periudhë tre mujore.
Dy të parat janë në përputhje me Kushtetutën: rasti i dënimit të formës së prerë është i qartë dhe i lidhur me rregullat e dekriminalizimit, ndërsa rasti i shkeljes së rëndë i jep qeverisë të drejtën që, pas një procesi të rregullt verifikimi, të ndërhyjë. Por hipoteza e tretë, “mosparaqitja në detyrë”, është e dyshimtë nga pikëpamja kushtetuese. Kushtetuta nuk e njeh këtë nocion dhe Gjykata Kushtetuese ka prirje të rrëzojë dispozita që tejkalojnë kufijtë kushtetues. Për më tepër, “mosparaqitja” është një nocion i paqartë, pasi detyra e kryetarit të bashkisë nuk lidhet me një orar apo prani fizike të përditshme në një zyrë, por me ushtrimin e kompetencave, që mund të bëhet edhe në mënyrë të tërthortë.
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese
Praktika e deritanishme ka treguar se Gjykata Kushtetuese ka pranuar shkarkime të kryetarëve të bashkive edhe pa një vendim gjykate të formës së prerë, për sa kohë Këshilli i Ministrave, me anë të verifikimeve administrative, ka provuar ekzistencën e një shkeljeje të rëndë. Në këto raste, Gjykata ka marrë rolin e gjykuesit themelor, duke analizuar faktet, duke verifikuar nëse i është garantuar kryetarit e drejta e mbrojtjes dhe mbi të gjitha duke vlerësuar nëse shkelja është e natyrës së “rëndë”.
Sa i përket nocionit të “mosparaqitjes në detyrë”, vetë Gjykata ka vënë në dukje se ai bie ndesh me Kushtetutën. Ndryshe nga deputetët, të cilët janë të detyruar të marrin pjesë fizikisht në seanca dhe mungesa e tyre pa arsye mbi gjashtë muaj sjell humbjen e mandatit, kryetari i bashkisë nuk ka një detyrim formal të tillë. Kushtetuta njeh vetëm nocionin e “pamundësisë për ushtrim të detyrës” për disa funksione të tjera, kur humbasin kapacitetet fizike ose mendore, por ky nuk është rasti i një kryebashkiaku që gjendet në paraburgim.
Rasti Veliaj
Në situatën aktuale, Erion Veliaj ndodhet nën masën e arrestit, që kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk cenon aftësinë e tij për të ushtruar funksionin. Kushtetuta dhe ligji nuk parashikojnë që një masë sigurie penale, pa vendim gjyqësor të formës së prerë, të sjellë automatikisht humbjen e mandatit. Për rrjedhojë, shkarkimi i tij është i mundur vetëm në dy rrugë:
1. Nëse gjykata jep një vendim të formës së prerë që e dënon për vepër penale.
2. Nëse Këshilli i Ministrave, pas një procesi transparent dhe të argumentuar, provon se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjeve.
Çdo përpjekje për ta shkarkuar mbi bazën e “mosparaqitjes” mbetet e pambështetur juridikisht dhe me gjasë do të rrëzohej si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.