Editorial 1 Shtator 2025, 18:10 Nga VNA

KLP, Hajnaj dhe një mandat i mbyllur me konfuzion e klientelizëm

Ndaje në Whatsapp
KLP, Hajnaj dhe një mandat i mbyllur me konfuzion e klientelizëm

Nga Ersi Leka

Historia e Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk është thjesht një mandat i mbyllur. Është një shembull i qartë sesi klientelizmi dhe pazaret institucionale vendosin mbi meritën, ndërsa institucionet heshtin dhe lënë qytetarët pa përgjegjësi.

Më 1 shtator 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi të lirojë nga detyra Aida Hajnajn, me argumentin se mandati i saj përfundoi më 31 gusht. Ironia e madhe? Anëtarët e KLP-së u mblodhën më 1 shtator për të vendosur nëse mandati i saj kishte mbaruar “sot” apo “dje”. Një absurditet që tregon qartë nivelin e mungesës së profesionalizmit në një institucion që duhej të ishte modeli i qartësisë ligjore.

Por paqartësia nuk u shfaq vetëm tek data. Edhe vetë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e theksoi konfuzionin kur lexoi vendimin e propozuar për të liruar nga detyra Hajnajn. Fjalimi i saj, më shumë se një shpjegim i qartë ligjor, tingëlloi si një lexim mekanik i një teksti të gatshëm, pa dhënë asnjë argument pse KLP ishte mbledhur pas përfundimit të mandatit për të diskutuar mbi një fakt të kryer. Ky moment tregoi edhe një herë se drejtuesit e këtyre institucioneve nuk arrijnë të japin as shpjegime të qarta për vendimet që marrin. Në vend të profesionalizmit, u pa një fjalë burokratike e thatë, që vetëm sa shtoi pasigurinë dhe dyshimet.

Vendimi i KLP-së nxori edhe një tjetër kontradiktë. Gjashtë anëtarë votuan që mandati kishte përfunduar më 31 gusht, ndërsa katër të tjerë mendonin se Hajnaj duhej të qëndronte deri në zgjedhjen e pasuesit. Por si mund të ketë hapësirë për dilema në një çështje kaq të qartë? Mandati i përcaktuar në ligj mbaron më datë fikse, dhe përtej asaj date nuk ka më asnjë bazë ligjore për të ushtruar funksionin. Fakti që 4 anëtarë zgjodhën të votojnë ndryshe, vetëm sa rriti paqartësinë dhe tregoi qartë mungesën e unitetit dhe seriozitetit brenda vetë KLP-së. Ishte një debat i kotë, që nuk duhej të ekzistonte. Nëse nuk do ishte përtej serioz, do dukej si një shaka: një pjesë e KLP-së votoi për një fakt të kryer, njësoj sikur të vendosej me shumicë votash nëse pas gushtit vjen apo jo shtatori.

E vërteta është se surprizë nuk pati. Edhe hyrja e Hajnajt në këtë post në vitin 2020 ishte e paracaktuar. Emri i saj qarkullonte si fituese e sigurt përpara se të hapej gara, ndërsa kandidatët e tjerë morën pjesë vetëm për të plotësuar procedurën. Asokohe, as KLP nuk dha ndonjëherë një përgjigje të qartë mbi arsyet pse u përzgjodh pikërisht ajo dhe mbi kriteret që e bënë fituese.

Një nga pikat më të debatueshme është mënyra se si Hajnaj kaloi testet fizike, përfshirë provën e vrapimit. Deri sot, asnjë institucion nuk ka dhënë një shpjegim publik për rezultatet e saj. Heshtja institucionale e ka bërë këtë moment të duket më shumë si një farsë: kriteret ekzistojnë vetëm për t’u zbatuar tek disa, ndërsa për të tjerët thjesht fshihen nën tapet.

Megjithatë, Hajnaj nuk pati mundësi të rikandidonte. Ajo u përjashtua nga gara pasi nuk dorëzoi dokumentacionin brenda afatit ligjor, më 7 maj 2025.

Ky rast është pasqyrë e mënyrës si funksionon sistemi: fituesit dihen përpara se të fillojë gara, kriteret përdoren si fasadë, institucionet heshtin dhe profesionalizmi mungon deri në absurditetin e një mbledhjeje ku diskutohet seriozisht nëse mandati i një drejtuesi mbaron “sot” apo “dje”.

Pas largimit të saj, SPAK hapi garën për drejtuesin e ri të BKH-së, me shtatë kandidatë në listë. Por pyetja mbetet e njëjtë: a do të jetë ky proces realisht transparent dhe meritokratik, apo një përsëritje e skenarit ku vendimi është marrë që më parë?

Mandati i Aida Hajnajt nuk mbyllet vetëm si një faqe personale. Ai është një dëshmi e mungesës së profesionalizmit dhe një pasqyrë e zymtë e një sistemi ku klientelizmi sundon mbi ligjin, ndërsa institucionet arrijnë deri aty sa të ngatërrojnë edhe datat dhe të ndahen në dysh për një çështje që kishte vetëm një përgjigje të qartë.

KLP dhe institucionet e tjera të drejtësisë i detyrohen publikut transparencë të plotë mbi mënyrën se si bëhen emërimet, si kalohen testet dhe si menaxhohen mandatet. Pa llogaridhënie të vërtetë, çdo proces mbetet një fasadë, ndërsa drejtësia humbet kuptimin e saj.

 

Video

?? Izraeli godet qytetin e Gazës, Netanjahu u bën thirrje banorëve të largohen • Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka paralajmëruar një operacion të ashpër tokësor në qytetin e Gazës, duke i kërkuar palestinezëve në veri të qendrës urbane të largohen menjëherë. • Hamasi ka dënuar kërcënimet e Netanjahut dhe ka quajtur shkatërrimin e pallateve të larta në Gaza, përfshirë kullën as-Salam, si “një nga imazhet më të tmerrshme të sadizmit dhe kriminalitetit”. • Spanja ka shpallur masa të gjera kundër Izraelit, përfshirë një embargo të plotë armësh. Kryeministri Pedro Sanchez tha se vendimi synon “të ndalë gjenocidin në Gaza” dhe “të mbështesë popullin palestinez”. • Lufta e Izraelit në Gaza ka lënë të vrarë të paktën 64,522 persona dhe mbi 163,096 të plagosur që nga tetori 2023. Mijëra të tjerë mendohet se ndodhen ende nën rrënoja. Në sulmet e 7 tetorit, u vranë 1,139 persona në Izrael, ndërsa rreth 200 të tjerë u morën peng.

Numri i viktimave nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e kaluar në segmentin rrugor Krume–Golaj, në Has, ka shkuar në dy. Pasagjeri Zek Neçi, i cili udhëtonte me viktimën e parë, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Kukësit, ku mori ndihmën e parë mjekësore, e më pas u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku humbi jetën. Në përplasjen mes dy automjeteve, e cila ndodhi mbrëmjen e kaluar, mbeti i plagosur rëndë edhe një 23-vjeçar me inicialet N.L., i cili ndodhet në gjendje kritike nën kujdesin e mjekëve.

Momenti kur Rakip Gila, pasi kryen masakrën me dy viktima dhe dy të plagosur, kërcënon me armë drejtuesin e një automjeti, me të cilën tenton arratisjen.

Pas operacionit të zhvilluar sot në Elbasan, 30 personat e arrestuar janë nisur me autobus drejt qelive të paraburgimit në Tiranë. Ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të hetimeve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme