Editorial 30 Gusht 2025, 20:23 Nga VNA

Historia e PS që Ulsiu nuk e mësoi kurrë-Partia që ha “kokat” dhe servilët që nuk bëhen kurrë ministra

Ndaje në Whatsapp
Historia e PS që Ulsiu nuk e mësoi kurrë-Partia që ha

Nga Desada Metaj

Ulsi Manja u vetëofrua sot si avokat i Edi Ramës në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, vetëm pak ditë përpara se kryeministri të formojë qeverinë e re, ku nuk dihet nëse ministri i Drejtësisë do të vijojë të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Në reagimin e fundit, Manja merr përsipër të përkthejë aksionin e kryeministrit duke thënë se fushata e prishjeve të ndërtimeve pa leje, nuk është një “tekë vere e Edi Ramës”, as lojë politike dhe as manovër për të tërhequr vëmendjen e publikut nga temat e ditës apo aktualiteti politik.

Sipas tij, është “një betejë vizioni” që lidhet me Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Europian.

Ministri i Drejtësisë i jep leksione shqiptarëve se “në Europë nuk hyhet me ndërtime pa leje, me kioska dhe tenda metalike që zaptojnë hapësirën publike, që bllokojnë hyrjet e pallateve, me qoftehane mbi trotuarë, me tarraca pallatesh të kthyer në bahçe apo pemtore të paligjshme, me ndërtues që shesin tre herë të njëjtin apartament….”, e kështu me radhë.

Dhe në fakt ka të drejtë kur thotë se nuk shkohet në këtë mënyrë në Europë. Vetëm se duket se harron se Shqipërinë e qeveris Edi Rama prej 12 vitesh, e përgjatë këtyre viteve ka lejuar të ndërtohet pa leje, të zaptohen hapësirat publike, të tjetërsohen pronat, të betonizohet Shqipëria, të shkatërrohen zonat e mbrojtura, të vidhen miliona përmes aferave si inceneratorët, sterilizimi, Check-Up, e me radhë. Madje shumë nga këto ndërtime që Ulsiun e pengojnë të shohë Shqipërinë europiane janë ndërtuar kur Ulsiu ngrohte karrigen e ministrit dhe hante qofte në ndonjë tezgë ndërtuar pa leje.

Për më tepër, ministri i Drejtësisë cilëson “vajtues publikë” këdo që kritikon aksionin e qeverisë. Duke më hequr dhe mua personalisht të drejtën të mendoj se nuk qeveriset me aksione dhe më shumë se tendat, Tirana është e pajetueshme nga betoni i stërmadh dhe pa shije, plehrat, zhurma dhe kaosi. Por për Ulsiun si servil banal i shefit të madh gjatësia e mendimit shkon deri tek ajo që thotë Edi Rama. Dhe shyqyr thuaj që nuk jetojmë në sistemin kur Ulsiu mund të ishte shef i zyrës së internimeve.

“Edi Rama është votuar nga populli dhe është në krahun e së mirës së përbashkët”, shkruan Ulsiu dhe mjaftohet me kaq. Të paktën është i vetëdijshëm që me kulturën e mangët mund të ngatërrojë ndonjë nga të dërguarit e Zotit në tokë me shefin e madh. Dhe për këtë i kanë thënë të ketë kujdes se shefi është dhe katolik dhe ortodoks ndoshta dhe pak myslyman. Ndaj më mirë pa emra të përveçëm.

Si një ish-prokuror me karrierë dështake, Ulsiu i ka bërë sot Edi Ramës edhe avokatinë e pakërkuar për përplasjet e këtij të fundit me prokurorë dhe gjyqtarë. “Nëse ka përplasje sot, ajo nuk është Rama kundër drejtësisë, as Rama kundër qytetarëve, por e mira kundër së keqes”, shkruan më tej Manja, që thekson më tej se “mandati i katërt është zotimi për të vendosur kontroll mbi territorin me çdo mjet ligjor, për t’i dhënë fund kaosit dhe ndotjes”.

A thua se këto 12 vjet në qeverisje kanë qenë ca njerëz të anonimë që Ulsiu nuk i njeh dhe jo PS, miqtë dhe shokët e tij në PS. E vetmja në fakt që mund të bëjë ministër një personazh si ai.

Sesi vodhën e shkatërruan gjithçka, sesi ministrat njëri pas tjetrit përfunduan në burg për afera, sesi dhjetëra zyrtarë u kapën duke zhvatur milionat e tenderave – kjo është një temë që Ulsiu nuk e prek. Madje ministri i rëndësishëm i Ramës, njeriu që presupozohet të jetë simboli i drejtësisë në qeveri, nuk guxon as të përmendë që numri dy i partisë që e bëri ministër sot është pas hekurave.

Ndoshta dikush duhet t’i shpjegojë shokut Ulsi historinë e hershme të partisë së tij.Ku miqtë e shokët e afërt të udhëheqësit nuk e kishin të gjatë as karrierën dhe as jetën pa miratimin e tij. Ky është dhe mallkimi që e ndjek PS, pasardhesen e denjë të Partisë së Enver Hoxhës, i cili në fund të jetës i kishte hequr qafe të gjithë miqtë e shokët e vjetër. Vetëm me të dëgjuar më të vjetrit e Partisë së Punës, Ulsiu mund të kuptojë se udhëheqësin e ri dhe të të vjetrin nuk e miklojnë servilizmat. Sidomos ato që nuk kanë as stil dhe as formë artistike. Ndaj në këto raste, meqë librat janë pak të vështirë për t’u lexuar bën mirë të ulet me ndonjë shok të vjetër e të dëgjojë ca nga historia e partisë. Të së vjetrës dhe trashëgimtares, që ndryshojnë pak nga forma dhe aspak nga përmbajtja. Ku miq e shokë që ndajnë pushtet dhe pará, befas shndërrohen në armiq të përbetuar dhe mund të “pushkatohen” me ose pa gjyq. Por gjithmonë me bekimin e udhëheqësit. Dhe ndoshta pas kësaj mund të kuptojë e ndërgjegjësohet se servilizimi jo vetëm nuk e bën dot ministër, por as e shpëton nga “gijotina” politike.

Dhe në fund i duhet të kuptojë e të mësojë atë që çdo “viktimë” e asaj partie e thotë në fund të karrierës politike me bindje dhe dëshirë të plotë: partia ime më dënoi.

Video

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Një aligator gjigant, i gjatë rreth 4.3 metra (14-foot) dhe me peshë rreth 272 kg (600 paund), shkaktoi bllokim të trafikut në Florida, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve. Një kapës i specializuar për kafshë të egra, së bashku me tetë zyrtarë policorë, ndërhynë për të larguar aligatorin nga rruga dhe për të siguruar kalimin e automjeteve në mënyrë të sigurt.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme