Editorial 2 Gusht 2025, 09:53 Nga VNA

Kodi i ri Penal dhe hallet e vjetra të politikës. Kur Ulsi Manja bëhet garant i drejtësisë dhe Arben Rakipi ekspert i etikës, çdo nen i Kodit Penal tingëllon si tallje kombëtare

Ndaje në Whatsapp
Kodi i ri Penal dhe hallet e vjetra të politikës. Kur Ulsi Manja

Nga Desada Metaj

Ajo që sot është tema më e debatueshme e ditës, drafti i kodit të ri penal, nuk është as temë e re dhe as e padiskutuar më parë. Në fakt, gjithçka nisi në dhjetor të vitit 2020 kur ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni e asaj kohe dorëzoi në Kuvend disa ndryshime thelbësore të Kodit Penal të hartuara nga një grup pune që drejtohej nga Arben Rakipi. Rastësisht ose jo penalizimi i shpotive apo talljes së personaliteteve politike ishte thuajse i njëjtë me draftin e prezantuar pak ditë më parë nga ministri Ulsi Manja. Thënë ndryshe, varianti i kodit të Etildës dhe ai i propozuar nga Ulsiu nuk kanë të përbashkët vetëm PS por i bashkon edhe një emër: Arben Rakipi, drejtori aktual i Shkollës së Magjistraturës.

Ky i fundit, një ish-kryeprokuror, kulmin e karrierës e shënoi me arrestimin në vitin ‘98 të ish-zyrtarëve të PD-së me akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Si një nga gazetarët e pranishëm në konferencën për shtyp asokohe, që qëlloi të ishte një e diel pa shumë ngjarje, mbaj mend me detaje skenën kur zoti Rakipi prezantoi si prova për ish-ministrin e Mbrojtjes Zhulali dhe zyrtarë të tjerë 3 shishe plastike Coca-Cola me një lëng që sipas tij ishte lëndë helmuese. Kjo çështje, vrasja e Azem Hajdarit dhe dosja Kokaina do të ishin sfidat e Arben Rakipit si Prokuror i Përgjithshëm. Por edhe pse të treja rezultuan dështim, ndër vite ish-prokurori i përgjithshëm, si të gjithë ata që e pasuan, arriti të ngrejë perandorinë e tij të suksesit profesional dhe financiar, gjithmonë me bekimin e politikës.

Tashmë për herë të dytë në harkun kohor të 5 viteve, Arben Rakipi vendoset në qendër të një debati për një variant të kodit të ri penal. Nëse në prezantimin e parë në vitin 2020 kishte në krah Etilda Gjonin, disa ditë më parë kishte Ulsi Manjën. Ministrin e Drejtësisë që së fundmi duket se po i fryhet xhaketa nga korrentet e korridoreve të PS. Shkak duket të jetë çështja Veliaj ku kolegë socialistë e konsiderojnë Ulsi Manjën si drejtues të grupit “anti parti” që persekuton kryetarin në detyrë të Bashkisë së Tiranës. Për çudi ose jo në këto korrente emri i Arben Rakipit del prapë në skenë: zyra e tij avokatore ishte e para që u kontraktua nga kryetari i bashkisë deri sa pak javë më parë u zëvendësua nga një zyrë avokatie nga SHBA. Vetëm kaq, në fakt, do të mjaftonte që zoti Rakipi të mos konsiderohej si ekspert për të hartuar dhe prezantuar një kod të ri penal. E aq më tepër që krah tij në këtë proces të jetë Ulsi Manja, që nëse nuk do ishte socialist i zgjedhur nga Rama, ndoshta nuk do kishte kaluar as vettingun si prokuror i dobët.

Por historia jo e largët e drejtësisë në duart e politikës në Shqipëri duket qartë kur iniciativa të rëndësishme (si kjo për hartimin e Kodit Penal) shndërrohen si lojë në duart e politikës, që në mos ka synim ta përshtasë kodin me interesat e saj, së paku përpiqet që çdo debat për drejtësinë ta përdorë si armë për betejat e brendshme të saj. Po t’i shtosh kësaj dhe apatinë në akte të opozitës dhe agresivitetin vokal të liderit të saj, ndryshimet apo kodi i ri penal do të rrinë pezull për sa kohë Edi Rama të shijojë një debat shterpë për një kod që ai i ka votat ta miratojë si dhe kur të dojë.

Shqipëria ka më shumë nevojë për ndryshime në Kodin Penal sesa për opinione dhe komente për këto ndryshime. Nuk është dhe kaq e vështirë të gjesh një grup ekspertësh që mos të dalin as nga oborri i Fatmir Xhafës dhe as nga paradhoma e Ulsi Manjës. Mjafton të lexosh kritikat për draftin aktual në media nga specialistë të fushës, sugjerimet e zyrës së BE-së në Shqipëri apo të pajtosh disa ekspertë ndërkombëtarë dhe për një kohë të shkurtër mund të kemi një draft normal mbi të cilin mund të vihen vërejtje dhe sugjerime. Përndryshe, variantet e servirura nga ish-prokurorët e regjimit komunist që si zvarranikë vijojnë të jenë pjesë e sistemit do të jenë thjesht dhe vetëm objekt për tallje dhe larje hesapesh brenda ish-Partisë së Punës. Në këtë vend, në vitin 2025, është absurde të mendosh që ende drejtësia mund të reformohet nga Fatmir Xhafaj me komisionin e posaçëm parlamentar dhe zgjatimet e tij në institucionet e drejtësisë. Dhe po t’i shtosh kësaj panorame të reformimit të drejtësisë dhe Kodin e Ri Penal me vulën e Ulsi Manjës, ndoshta do të ishte më mirë të mbanim të vjetrin!

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme