Sociale 5 November 2026, 09:43 Nga VNA

BE ngre alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri/ Probleme me AKU-në, pesticidet dhe laboratorët, rrezik korrupsioni në inspektime

Ndaje në Whatsapp

BE ngre alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri/ Probleme

Komisioni Europian ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke evidentuar mangësi në funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), kontrollin e pesticideve, kapacitetet laboratorike dhe transparencën e inspektimeve. Në progres-raportin e vitit 2026, Brukseli kërkon reforma të mëtejshme për garantimin e standardeve europiane dhe forcimin e masave për parandalimin e korrupsionit.

Në Kapitullin 12, që trajton sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Komisioni Europian konstaton se legjislacioni shqiptar mbetet vetëm pjesërisht i përafruar me atë të Bashkimit Europian, pavarësisht miratimit të ligjit për kontrollet zyrtare në qershor të këtij viti.

Një nga problematikat kryesore lidhet me funksionimin e AKU-së. Raporti kërkon reforma institucionale, përfshirë bashkimin e këtij institucioni me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe përcaktimin më të qartë të përgjegjësive të inspektimit.

Brukseli evidenton gjithashtu nevojën për përmirësimin e administrimit të të dhënave, statistikave të inspektimeve dhe transparencës, duke kërkuar burime të mjaftueshme financiare dhe administrative për zbatimin e kontrolleve ushqimore.

Probleme me laboratorët dhe kontrollin e pesticideve

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me laboratorët që kryejnë analizat e produkteve ushqimore. Sipas Komisionit Europian, laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar në përputhje me kërkesat e rregullores europiane për kontrollet zyrtare.

Raporti thekson se nevojitet forcimi i kapaciteteve laboratorike, akreditimi dhe validimi i metodave të analizimit, në mënyrë që rezultatet e kontrolleve të jenë të besueshme dhe në përputhje me standardet e BE-së.

Shqetësime ngrihen edhe për mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore. Komisioni Europian kërkon përmirësimin e masave që ndërmerren kur konstatohen produkte që nuk përmbushin standardet, si dhe rritjen e transparencës dhe monitorimit të këtyre substancave.

Problematikat shtrihen edhe në sektorin e qumështit dhe ushqimit për kafshët. Shqipëria duhet të hartojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit, ndërsa për rregullat specifike të ushqimit për kafshët nuk është raportuar progres.

BE paralajmëron për rreziqe korrupsioni në inspektime

Një vëmendje të veçantë raporti i kushton edhe rrezikut të korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit, veçanërisht në sektorët veterinarë dhe fitosanitarë.

Komisioni Europian kërkon forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të institucioneve përgjegjëse, duke theksuar nevojën për masa më efektive në parandalimin e korrupsionit.

Sipas raportit, Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për të garantuar që inspektimet dhe certifikimet të zhvillohen në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet europiane.

Mangësi evidentohen gjithashtu në gjurmueshmërinë e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe kapacitetet për identifikimin e hershëm të rreziqeve veterinare.

Megjithëse Komisioni Europian njeh progresin e bërë në përafrimin e disa ligjeve me standardet e BE-së, raporti tregon se Shqipëria ka ende punë të konsiderueshme për të garantuar funksionimin e plotë të sistemit të sigurisë ushqimore.

Gjetjet e Brukselit ngrenë një çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët: sa efektive janë kontrollet shtetërore për produktet ushqimore që përfundojnë çdo ditë në tryezat e konsumatorëve shqiptarë?

BE ngre alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri/ Probleme

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme