
Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nisi procesi gjyqësor ndaj Ruben Saraivës, shtetas portugez, i cili akuzohet si ekzekutor i biznesmenit Ardian Nikulaj, brenda lokalit të tij në Shëngjin. Procesi po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa janë të pranishëm në sallën e gjyqit edhe familjarë të Nikulajt. Saraiva është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës. Saraiva e kundërshton këtë vendim, ndaj e ka ankimuar në Apel.
Gjatë seancës, i pandehuri nënshkroi deklaratë se nuk njeh gjuhën shqipe dhe se do të bëhet përkthimi në anglisht nga përkthyesi.
Avokati i Saraivës, Kujtim Cakrani, pretendoi në Apel se të mbrojturit prej tij i janë shkelur të drejtat, pasi asnjë akt procedural, si në fazën e hetimit, ashtu edhe në atë të gjykimit, nuk i është paraqitur të pandehurit në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht.
“Nuk jam njohur me asnjë koment”, deklaroi Saraiva.
“I pandehuri duhet të jetë i njohur me ankimin. Avokati duhet t’ia kishte vendosur në dispozicion në gjuhën angleze dhe portugeze”, tha prokurorja Irma Balla.
“Duhet së pari i pandehuri të njihet dhe të qartësohet me ankimin dhe më pas të diskutohen çështjet e tjera”, theksoi prokurorja.
Gjykata e pyeti Kujtim Cakranin nëse ia kishte vënë në dispozicion ankimin të pandehurit. Cakrani u përgjigj se nuk ka mundur ta takojë, pasi nuk është lejuar të marrë edhe përkthyesin.
“Nuk e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes”, tha avokati.
Avokati i familjes së viktimës kërkoi që procesi të mos zvarritej.
Vrasja e biznesmenit ndodhi më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin, ku autori hyri i maskuar si postier dhe me kaskë motori në kokë, duke e qëlluar për vdekje.
Si organizator i krimit akuzohet Edmond Haxhia, i afërm i familjes Lekstakaj, në hasmëri me Nikulajt, sagë nga e cila janë regjistruar disa viktima. Ndërsa rolin e vëzhguesit e kanë kryer katër shtetas britanikë. Haxhia dhe britanikët po përballen me drejtësinë britanike për të penguar ekstradimin drejt Shqipërisë.






















