Në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, prokurori i posaçëm Altin Dumani i kërkoi Gjykatës së Posaçme të shohë mundësinë që seancat të vijojnë pa praninë e mbrojtësve ligjorë, duke e konsideruar bojkotin si shkak të paligjshëm për mospjesëmarrje.
“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, deklaroi Dumani. Por gjykata tha se lidhur me këtë kërkesë do të shprehet në një moment të dytë.
Për shkak se avokatët vijojnë prej më shumë se një muaji bojkotin në shenjë proteste ndaj rregullores së gjykatës, seanca e radhës u shty në datën 27 tetor. Ndërkohë që trupa gjykuese caktoi avokatë për të pandehurit nga lista e ndihmës juridike falas e Ministrisë së Drejtësisë. GJKKO gjobiti po ashtu me nga 100 mijë lekë mbrojtësit.
Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë po gjykohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë.






















