Sadleva Bodo pritet të jetë drejtoresha e re e Përgjithshme e Burgjeve, duke zëvendësuar Adriatik Kupin, i cili njoftoi dorëheqjen pas vetëm shtatë muajsh në detyrë.
Bodo vjen nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku prej pesë vitesh ka mbajtur pozicionin e këshilltares ligjore të drejtorit të këtij institucioni. Fillimisht ajo ka punuar me Aida Hajnajn dhe më pas ka vijuar të ushtrojë të njëjtën detyrë edhe nën drejtimin e Joni Ketës.
Por përpara karrierës në strukturat e posaçme të drejtësisë, Sadleva Bodo ka mbajtur një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme, në periudhën kur ky institucion drejtohej edhe nga Fatmir Xhafaj.
Sipas jetëshkrimit të publikuar në faqen zyrtare të SPAK, nga maji 2018 deri në gusht 2021, Bodo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme.
Në pesë muajt e parë të kësaj periudhe, ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, një prej figurave kryesore politike të lidhura me hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi.
Pas largimit nga Ministria e Brendshme në gusht 2021, Bodo kaloi në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku ka qëndruar deri tani.
Ndërkohë, sipas informacioneve të VNA-së, tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasues i Adriatik Kupit, Sadleva Bodo është takuar privatisht me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.
Takimi mësohet të jetë zhvilluar më 9 tetor, ndërsa nuk ka një njoftim publik mbi përmbajtjen e bisedës apo çështjet e diskutuara.
Përzgjedhja e saj shënon kalimin e një juristeje nga kabineti drejtues i BKH-së në administrimin e sistemit penitenciar, një prej sektorëve më të ndjeshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
E lindur më 29 janar 1988, Bodo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Më pas ka ndjekur studime pasuniversitare në Wayne State University në Detroit, SHBA, dhe në Universitetin e Maastricht-it në Holandë.
Prej dhjetorit 2022, sipas CV-së zyrtare, ajo është edhe anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sadleva Bodo pritet ta marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën, më 14 tetor, duke u vendosur në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas dorëheqjes së Adriatik Kupit.






















