Dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë janë arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se kanë marrë 20 mijë lekë nga një qytetar për të mos e ndëshkuar për një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në pranga kanë rënë inspektorët A. S., 20 vjeç, dhe Xh. F., 23 vjeç, të dy me detyrë në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit Nr. 4.
Sipas AMP-së, hetimet nisën pas kallëzimit të një qytetari, i cili denoncoi se efektivët i kishin kërkuar para në këmbim të shmangies së masës administrative për shkeljen rrugore.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy policët i kanë kërkuar dhe marrë qytetarit shumën prej 20 mijë lekësh, duke shpërdoruar detyrën e tyre.
Arrestimi është kryer në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria e Tiranës. Dy efektivët dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, hetimet nuk janë mbyllur. AMP bën të ditur se po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast korrupsioni.






















