Njeriu më i shpejtë në historinë e atletikës, Usain Bolt, ka bërë një tjetër hap në botën e futbollit, duke u regjistruar si lojtar i klubit anglez Wythenshawe Vets.
Transferimi i 40-vjeçarit ka kaluar thuajse pa bujë në krahasim me lëvizjet e mëdha të merkatos së Ligës Premier, por konfirmimi zyrtar nga Federata Angleze e Futbollit e bën atë një nga transferimet më të pazakonta të sezonit. Bolt do të luajë në një ekip që garon në nivelin e nëntë të futbollit anglez.
Wythenshawe Vets është një skuadër veteranësh nga jugu i Mançesterit, e cila u jep mundësinë ish-futbollistëve profesionistë të rikthehen në fushë. Bolt, megjithatë, nuk do të jetë emri i vetëm i njohur në dhomën e zhveshjes.
Në skuadër janë regjistruar edhe ish-sulmuesi i Anglisë dhe Liverpoolit, Emile Heskey, ish-lojtari i Evertonit, Oumar Niasse, ish-kapiteni i Manchester United, Antonio Valencia, si dhe sulmuesi i njohur Papiss Cisse.
Lista përfshin gjithashtu ish-futbollistët e Manchester Cityt, Stephen Ireland dhe Nedum Onuoha, ndërsa pjesë e ekipit janë edhe Joleon Lescott dhe Danny Drinkwater, të dy fitues të Ligës Premier.
Për Boltin, kjo nuk është hera e parë që tenton të bëjë kalimin nga atletika drejt futbollit. Xhamajkani ka qenë gjithmonë një tifoz i madh i futbollit dhe një mbështetës i Manchester United.
Në vitin 2018, ai kaloi një periudhë prove me klubin australian Central Coast Mariners. Bolt shënoi dy gola në një ndeshje miqësore, por në fund nuk arriti të siguronte një kontratë profesionale, pasi klubi nuk mundi t'i ofronte kushtet e kërkuara.
Ai gjithashtu është stërvitur me Stromsgodset në Norvegji dhe Borussia Dortmund në Gjermani, ndërsa më herët kishte refuzuar edhe një ofertë nga klubi maltez Valletta, raportohet për arsye financiare.
Tashmë, në moshën 40-vjeçare, rekordmeni botëror i 100 metrave me kohën 9.58 sekonda dhe i 200 metrave me 19.19 sekonda, do të provojë një aventurë të re në futbollin anglez, këtë herë në nivelin amator.






















