Pep Guardiola ka folur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij personale, duke rrëfyer fundin e marrëdhënies rreth 30-vjeçare me Cristina Serra. Trajneri i Manchester Cityt ka pranuar se, pavarësisht dashurisë që vazhdonte të ekzistonte mes tyre, në marrëdhënie ishte shuar pasioni.
Rrëfimi i Guardiolës është pjesë e dokumentarit të ri me katër pjesë të Prime Video, “A Beautiful Obsession”, i cili sjell momente nga prapaskenat e viteve të fundit të trajnerit te Manchester City.
Në një prej skenave më emocionale, pas një humbjeje të rëndë në Europë, Guardiola u hap para futbollistëve të tij në dhomën e zhveshjes.
“Djema, dua t’ju rrëfej diçka. Jam divorcuar, dreqi e mori, nga gruaja më e bukur në planet, gruaja ime, ish-gruaja ime”, u tha ai lojtarëve.
Trajneri katalanas pranoi më pas se dashuria mes tij dhe Serrës nuk ishte zhdukur, por marrëdhënia kishte humbur diçka që, sipas tij, ishte thelbësore.
“E dua jashtëzakonisht shumë, por e humbëm pasionin. E dua? Absolutisht. Ajo më do? Po, por e humbëm pasionin”, u shpreh Guardiola.
Pikërisht përvojën e tij personale, trajneri e përdori për t’u dhënë një mesazh futbollistëve, duke u kërkuar që të mos mbështeten vetëm te talenti, por të luajnë dhe të jetojnë me pasion.
“Si luani futboll? Sepse luani, apo për diçka që keni brenda vetes? Në jetën tuaj, çfarëdo që të bëni, bëjeni me pasion. Nuk dua lojtarë të mirë, dua lojtarë me pasion”, iu drejtua ai skuadrës.
Guardiola dhe Cristina Serra u njohën në vitin 1994 në Barcelonë, ndërsa në vitin 2014 kurorëzuan marrëdhënien e tyre me martesë. Ata kanë tre fëmijë, Maria, Marius dhe Valentina.
Serra, e angazhuar në biznesin e modës, u rikthye në Spanjë në vitin 2019 për t’u përqendruar te aktiviteti i saj profesional, ndërsa Guardiola vazhdoi jetën në Angli dhe angazhimin si trajner i Manchester Cityt.
Pas rreth tre dekadash së bashku, marrëdhënia e tyre mori fund. Në dokumentar, Guardiola e shndërron një prej përvojave më të dhimbshme personale në një mesazh për skuadrën e tij: talenti mund të jetë i rëndësishëm, por pa pasion nuk mjafton.






















