
Një debat në distancë është krijuar mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidencës lidhur me procedurat për pajisjen me shtetësi shqiptare të rreth 10 futbollistëve të rinj që synojnë të përfaqësojnë Shqipërinë.
Debati nisi pas reagimit publik të përgjegjësit të skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, i cili kërkoi shpjegime për vonesën e procedurave për disa talente të identifikuara nga Federata për ekipet kombëtare të moshave.
Sipas Osmanit, FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial për të veshur fanellën kuqezi, por procedurat kanë mbetur në pritje. Ai ngriti gjithashtu si pikë krahasimi rastin e futbollistit të Përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani, duke kërkuar që edhe talentet që synojnë të luajnë për Shqipërinë të trajtohen me të njëjtën urgjencë.
Në thelb, shqetësimi i FSHF-së lidhet me kohën. Bëhet fjalë për futbollistë të rinj, për të cilët aktivizimi në ekipet kombëtare të moshave lidhet drejtpërdrejt me kufijtë e moshës dhe ciklet e kompeticioneve.
Por në këtë pikë ekziston një fakt i rëndësishëm që përcakton procedurën dhe është kuadri ligjor për pajisjen me shtetësi ka ndryshuar.
Ndryshe nga procedurat e ndjekura për rastet e mëparshme, ku kërkesat për sportistët trajtoheshin sipas rregullave që ishin në fuqi në atë periudhë, ndryshimet e reja parashikojnë një proces ku propozimi duhet të mbështetet edhe nga Agjencia e Shërbimeve të Sportit dhe ministria përgjegjëse.
Pikërisht ky ndryshim procedural është arsyeja që kërkesat e reja nuk mund të trajtohen thjesht duke ndjekur të njëjtën rrugë si dosjet e mëparshme.
Pra, debati nuk lidhet me faktin nëse futbollistët me origjinë shqiptare mund të pajisen me shtetësi shqiptare. Kjo praktikë ka ekzistuar dhe vazhdon. Çështja që ka sjellë përplasjen e fundit lidhet me procedurën që duhet të ndiqet për kërkesat e reja, pas ndryshimit të kuadrit ligjor.
Rasti i Albion Rrahmanit është përdorur nga FSHF-ja për të vënë në pikëpyetje ritmin e procedurave. Megjithatë, krahasimi duhet parë edhe në kontekstin e rregullave që kanë qenë në fuqi në momentin kur janë trajtuar rastet përkatëse.
Nëse ndryshimi i kuadrit ligjor ka zhvendosur përgjegjësitë dhe ka shtuar hallka të reja në procedurën e pajisjes me shtetësi, atëherë ndoshta kritika e FSHF-së për vonesat duhet t’u drejtohet qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse, të cilat kanë rol në procedurën e re. Për Federatën, koha mbetet thelbësore për shkak të cikleve të moshave, por zgjidhja e këtij ngërçi tashmë duket se nuk varet vetëm nga Presidenca.






















