
Një vatër e re zjarri është shfaqur sërish në zonën e Krastës në Krujë, këtë herë në pjesën veriore të saj.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht dhe po përhapet me shpejtësi, i favorizuar edhe nga erërat e forta që kanë përfshirë zonën.
Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese për shkak të pranisë së depove të eksplozivit, të cilat përdoren për furnizimin e guroreve të zonës.
Për shkak të rrezikut të shtuar, helikopteri i ushtrisë është rikthyer në operacion, duke monitoruar situatën dhe ndërhyrë nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse të Krujës kanë krijuar një perimetër sigurie për të parandaluar afrimin e zjarrit pranë depove të eksplozivit.






















