Politika 10 August 2026, 15:50 Nga VNA

Majko i përgjigjet Zelenksyt: Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje 

Ndaje në Whatsapp

dcsdcdc.jpg

Ish-kryeministri dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës, pas qëndrimeve të fundit diplomatike të Presidentit Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd.

Krah një fotoje të shkrepur nga brenda parlamentit ukrainas në përvjetorin e nisjes së agresionit rus, ku duket flamuri shqiptar i mbajtur nga delegacioni parlamentar, Majko nëvizoi se aleanca mes dy popujve është e kalitur në luftë dhe nuk mund të zbehet nga protokollet apo lëvizjet e diplomacisë.

"Kjo është një foto në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus! Ajo është një foto e realizuar nga salla, për të treguar kënaqësinë me të cilën u prit flamuri shqiptar nga të pranishmit! Nuk kishte shumë delegacione të huaja pasi kishin qarkulluar lajme se mund të goditej, në këtë ditë, godina e parlamentit në Kiev!", shkruan Majko.

I ndalur te deklaratat e kreut të shtetit ukrainas në kryeqytetin serb, ish-kryeministri u shpreh se marrëdhënia mes shqiptarëve dhe ukrainasve kapërcen deklaratat politike të momentit.

"Pavarësisht deklarimit 'konservativ' të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre! Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga 'protokollet e diplomacisë'!"

Majko sjell në vëmendje lidhjet e hershme historike, por edhe kontributin e sotëm ushtarak të vullnetarëve shqiptarë që luftojnë në frontin ukrainas:

"Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase!"

Duke bërë një dallim të prerë mes kompleksitetit të diplomacisë dhe me moralin e luftës, ai shton:

"Lufta, për shqiptarët, i ndan miqtë nga armiqtë! Diplomacia është quajtur me të drejtë arti i 'gënjeshtrës' për arsye shtetërore!"

Në përmbyllje të reagimit të tij, deputeti socialist zbulon edhe bisedën e zhvilluar me miq ukrainas pas ngjarjeve të fundit, duke cituar një frazë të drejtpërdrejtë që mori prej tyre:

"Miqtë i mij ukrainas më kanë komunikuar të shqetësuar për ngjarjen e fundit! 'Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje' ishte shprehja që pëlqeva më shumë, në anglishten me aksentin ukrainas!… Sigurisht!"

Lexo gjithashtu

Video

Hetimat për Inceneratorin e Tiranës, GJKKO lë në burg Renardo Nallbanin

“Pa prodhim nuk ka fuqi”, mesazhi i Marco Rubio-s që Shqipërisë i vjen si një thumb

“Jeta jote kaq e pat”, Denis Bajri akuza Ibrahim Licit: Urdhëroi sulmin ndaj meje në burg

Pas deklaratës së Zelenskit në Beograd, protestuesit në ditën e 71 kaluan para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës me thirrjet “UÇK” Arsyeja ka lidhje me deklaratën e djeshme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ai konfirmoi se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndaj protestuesit kanë marshuar para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës. Gjatë kalimit pranë selive diplomatike, ata kanë brohoritur “UÇK”, duke e kthyer protestën në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimit të Kievit, i cili në Tiranë dhe Prishtinë u prit me pakënaqësi .

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme