Jose Mourinho është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Real Madridit, duke nisur kështu aventurën e dytë në stolin e klubit madrilen.
Ceremonia e prezantimit u zhvillua këtë të martë pas dyerve të mbyllura, pa praninë e tifozëve dhe mediave. Pamjet e eventit u transmetuan vetëm nga Real Madrid TV, kanali zyrtar i klubit.
Mourinho u shfaq krah presidentit Florentino Perez, me të cilin nënshkroi kontratën e tij të re dhe më pas pozoi me fanellën e personalizuar të Real Madridit. “Po kthehem në shtëpi”, ishte komenti i parë i trajnerit portugez pas rikthimit në Madrid.
Pas ceremonisë, Mourinho foli shkurtimisht për mediat zyrtare të klubit dhe e cilësoi këtë rikthim si edhe më të veçantë se aventura e tij e parë.
“Herën e parë që arrita në Real Madrid ishte kulmi i suksesit profesional, por tani ekziston edhe aspekti emocional dhe personal. Besoj se kjo fazë është më e veçantë se e para”, deklaroi Mourinho.
“Jam një nga ju. Gjithmonë kam qenë i tillë që nga momenti kur u largova”, shtoi portugezi, duke theksuar se synimi i tij është të krijojë një kulturë pune, përgjegjësie dhe ambicieje në Valdebebas.
Mourinho rikthehet në Real Madrid pas disa vitesh, me objektivin për të rikthyer skuadrën te suksesi dhe për të vendosur disiplinë e konkurrencë të fortë brenda grupit.






















