Rodri është bërë zyrtarisht pjesë e Barcelonës dhe, sipas të përditshmes spanjolle El Pais, mesfushori spanjoll është tashmë lojtari i dytë më i paguar në skuadrën katalanase, pas Lamine Yamal.
30-vjeçari ka përfunduar me sukses testet mjekësore, ka firmosur kontratën dhe është bashkuar menjëherë me skuadrën në stërvitje. Ai pritet të jetë në dispozicion të Hansi Flick për një paraqitje të mundshme në ndeshjen e trofeut Joan Gamper ndaj Al Ahlyt.
Sipas raportimeve, Rodri do të përfitojë rreth 15 milionë euro neto në sezon, ose afërsisht 30 milionë euro bruto, duke kaluar në hierarkinë e pagave edhe kapitenët e Barcelonës.
Investimi i klubit katalanas është i konsiderueshëm, veçanërisht për shkak të problemeve fizike që mesfushori ka pasur gjatë dy sezoneve të fundit. Për këtë arsye, një nga prioritetet e stafit teknik dhe mjekësor do të jetë rikthimi i plotë i Rodrit dhe ruajtja e gjendjes së tij fizike gjatë sezonit.
Barcelona shpreson që fituesi i Topit të Artë dhe një prej mesfushorëve më të vlerësuar në botë të bëhet një nga liderët e skuadrës së Flickut dhe të justifikojë investimin e madh të klubit.






















