Ndërtekst 29 July 2026, 12:06 Nga VNA

Turistët e luftës dhe gjuetia e njerëzve: Libri që rikthen një nga kapitujt më të errët të Bosnjës

Ndaje në Whatsapp
Turistët e luftës dhe gjuetia e njerëzve: Libri që rikthen

Nuk e kam vizituar kurrë Bosnjen. E kjo nuk më ka penguar aspak ta admiroj së largu atë vend dhe atë popull, veçanërisht banorët e Sarajevës. Bash për faktin se Bosnja e boshnjakët u masakruan dhe martirizuan për pothuaj 44 muaj (1992-1995), u prenë në besë nga ata që supozohej ta mbronin e të mos lejonin mizorira, si dhe u trajtuan me indiferencë e shurdhëri të zgjatur nga vendet e civilizuara, të cilat supozohej se e kishin dënuar dhe mbyllur kapitullin e mizorive të Luftës së Parë dhe sidomos Luftës së Dytë Botërore.

Në shekullin e XX-të, Bosnja u martirizua, Sarajeva u rrethua, Srebrenica u masakrua, u krye gjenocid në sytë e trupave ndërkombëtarë, tmerr e gjenocid, që e përjeton në poezinë-dhimbje të pafund të përkthyesit Robert Shvarc, “Ma vranë Sarajevën”.

Por paska më për të treguar për mizoritë e shkaktuara mbi boshnjakët.

Me kurajon jo vetëm të një gazetari investigativ, por dhe të një shpirti të vërtetë njerëzor që kërkon drejtësi, italiani Ezio Gavazzeni ka publikuar së fundmi librin “Snajperët e fundjavës” – investigim mbi gjuetinë e njerëzve në Sarajevë (I Cecchini del Weekend - 2026).

Në këtë libër Gavazzeni na zbulon një mekanizëm makabër të “turizmit të luftës”. Grupe “gjuetarësh” apo “harkëtarësh” niseshin për një fundjavë gjuetie në zonën e luftës. Preja nuk ishte as ndonjë kafshë e pyjeve të Ballkanit dhe as ndonjë kafshë ekzotike. Preja ishin njerëzit, boshnjakët myslimanë, sidomos banorët e Sarajevës të rrethuar si në çark. Tek dilnin prej shtëpive i priste fati i një plumbi lëshuar nga “gjuetarët”, thjesht për kënaqësi, për më shumë adrenalinë, apo në kërkim të “emocioneve të forta”.

“Gjuetarët” janë individë të pasur, të arrirë në karrierat e tyre, jo domosdoshmërisht ushtarake. Ata mund të jenë mjekë, farmacistë, biznesmenë, noterë, avokatë apo edhe gjyqtarë ose neurokirurgë të famshëm, e deri bij të privilegjuar që janë të pasur e në depresion.

Paguajnë shumë për paketën e “turizmit të luftës”. Nisen nga Italia me rrugë ajrore ose tokësore. Ka një organizatë apo agjenci që kujdeset për gjetjen e këtyre “turistëve” dhe organizimin e nisjes së tyre nga Italia. Agjencia ka lidhje me të tjera agjenci në pothuaj gjysmën e Europës, kryesisht Belgjikë, apo edhe në Mbretërinë e Bashkuar (me pak vëmendje madje mund ta identifikosh saktë emrin e saj, pavarësisht se autori detyrohet për shkak të hetimeve të mos zbulojë emra apo të shkurtojë dëshmitë).

Mbërrijnë në Beograd. Atje ka një tjetër organizatë që i merr në dorëzim dhe i shoqëron për në zonat e luftës, në pikat e gjuajtjes, duke i transportuar me helikopterë, apo autobusë e xhipa.

Nisen të premte nga Italia, e shtuna i kushtohet qitjes në njerëz, e diela është dita e kthimit, që mbyllej me darkën pranë familjes.

Po, janë persona që këto “përvoja” mund t’ua dinë edhe familja apo shoqëria dhe që i pranojnë në heshtje. Sipas gazetarit bëhet fjalë për rreth 230 italianë që kanë përjetuar këtë formë “ekstreme turizmi”. Por po kaq mund të jenë dhe nga vende të tjera si francezë, zviceranë, belgë, kanadezë, amerikanë.

Hyjnë në zonat e luftës në Bosnje, kryesisht përmes Serbisë, por edhe nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Rumanisë, Hungarisë… e madje autori rendit edhe Shqipërinë.

Fenomeni i turistëve snajperë është ditur e denoncuar që gjatë periudhës së mizorisë në Bosnje, por është heshtur. Edhe sot më shumë heshtet sesa flitet. Banorët e Sarajevës e dinë, të gjithë e dinë, shërbimet sekrete nuk kanë krijuar pengesa… Sepse, siç shprehet një dëshmitar, paraja i hap ose i mbyll të gjitha dyert.

Për këtë mizori perversiteti është paguar shumë, është paguar në dorë.

Ajo që të vjen më e turpshme në këtë histori është çmimi i presë.

“Në fillim, nëse asgjësoje një fëmijë kushtonte 30 milionë lireta, një grua 20, një burrë 10 dhe një i moshuar ose e moshuar 3 (disa bënin 2 milionë për të moshuarit). Në fund të luftës një fëmijë ose një vajzë apo një djalë kushtonin edhe 90-100 milionë secili, një grua 70-80, një burrë 40-50 dhe një i moshuar 10-15; megjithatë, zakonisht “Harkëtarët” dëshironin fëmijët, të rinjtë dhe vajzat rreth 20, 30 dhe maksimumi 35 vjeç.”

(Me kursin e këmbimit të periudhës çmimi i presë varionte nga 2 mijë në 25 mijë dollarë amerikanë, çmim që në periudhën e fundit të luftës u 3-4 fishua).

Libri është sa interesant edhe i dhimbshëm. Të shkulet zemra vendit tek e lexon dhe tek kupton jo vetëm mizorinë e kryer, heshtjen mbizotëruese mbi të, por se, siç shprehet autori, “gjatë investigimit tim nuk kam arritur të gjej një gjuetar ‘të penduar’”.

Megjithatë, autori, dëshmitarët e bashkëpunëtorët e tij kanë gjetur mënyrën të flasin.

Prokuroria e Milanos tashmë ka hapur çështje hetimore, bazuar në një parashikim e interpretim ligjor të shkëlqyer nga pikëpamja e mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit të njeriut prej kriminalitetit të elitës.

Hetimi nuk është i lehtë. Përkundrazi, has shumë vështirësi për t’u kryer. Por e rëndësishme është që drejtësia vihet në lëvizje dhe fenomeni denoncohet.

Tek kthen faqen e fundit të librit e nëpër të ke lexuar “Shqipëria” (qoftë dhe një herë të vetme), kujton se dhe Shqipëria, më saktë qeveria shqiptare, ka mëkatet e veta.

Në ato vite qeveria shqiptare nuk u mëdysh të lejonte kontrabandën e naftës në thyerje të bllokadës ndërkombëtare në kufirin me Malin e Zi.

Kur Bullatoviçi, presidenti i asaj kohe në Mal të Zi, ishte në takim me kryeministrin shqiptar, aty ku sot protestohet çdo natë për një Shqipëri të Re, protestonte një grup të rinjsh nga Kosova, studentë në Shqipëri.

Zhgënjimin për veprimin e shtetit amë, që priste në vizitë zyrtare Bullatoviçin (në atë kohë Mali i Zi dhe Serbia formonin pjesën e mbetur të Jugosllavisë), e shihje qartë në sytë, fytyrat dhe thirrjet pothuaj të çjerra që u dilnin nga përpjekjet për të mbytur dëshpërimin.

“Do ta bëjmë Kosovën”, brohoritej poshtë zyrës së ish-kryeministrit Meksi.

Kosova vërtet u bë.

Po shteti shqiptar ka një mëkat për të shpaguar, mëkatin e kontrabandës së naftës dhe thyerjes së embargos, së bashku me shoqëritë apo individët e pasuruar prej saj. Një mëkat që kurrë nuk u zbardh publikisht e as u hetua.

Drejtësia shqiptare mund të përpiqet t’i përngjajë koleges së vet, drejtësisë italiane, e të gjejë mënyrat e hetimit, për të bërë të mundur të zbutet sadopak ky mëkat.

E ndërsa pritet shpagimi, zemra të rëndohet nga dhimbja e Robert Shvarcit:

Ma vranë Sarajevën! –

pesëdhjetë vjet kam pritur

ta shihja edhe një herë

qytetin ku kam lindur, …

Tani s’dua ta shoh më:

s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,

gjithë ato kufoma,

mu në zemër të Europës,

mu në fund të këtij shekulli!

Lexo gjithashtu

Video

Monika Kryemadhi ka mbërritur në GJKKO, e shoqëruar nga avokati i saj, për seancën gjyqësore që do të zhvillohet ditën e sotme.

Dita e 59 e protestës, nis marshimi në rrugët e Tiranës

Dita e 59 e protestës, nis marshimi drejt kryeministrisë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 goditi prefekturën Kumamoto në Japoni, duke lënë mbi 100 të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur pas shembjes së pjesshme të një qendre tregtare. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pezullim të transportit, ndërsa u rekomandua evakuimi i rreth 300 mijë banorëve. Kryeministrja Sanae Takaichi ngriti një task-force emergjente dhe dërgoi 3,600 ushtarë për operacionet e kërkim-shpëtimit. Agjencia Meteorologjike e anuloi paralajmërimin fillestar për cunami, ndërsa autoritetet konfirmuan se centralet bërthamore në rajon nuk pësuan dëmtime.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme