Ndërtekst 6 July 2026, 08:47 Nga VNA

Ç’kemi, Inteligjencë, njihu me Kuptimin!

Ndaje në Whatsapp
Ç’kemi, Inteligjencë, njihu me Kuptimin!

 

“Aftësia e specieve të mësojnë si të përshtaten në mjedise të ndryshme dhe si ia dalin të mbijetojnë dhe përparojnë përcakton edhe nivelin e tyre të inteligjencës… IA ka ardhur ta zmadhojë inteligjencën tonë njerëzore… ajo i shërben qëllimit tonë, na ndihmon të përshtatemi dhe të mbijetojmë.”
— Najxhëll Tun, “Si mendon IA-ja”

Për shekuj me radhë, inteligjenca ka qenë një nga cilësitë që kemi admiruar më së shumti. Kemi besuar se aftësia jonë për të arsyetuar, për të zgjidhur probleme dhe për t’u përshtatur na ka bërë të mundur jo vetëm të mbijetojmë, por edhe ta ndërtojmë botën përreth nesh. Nuk është çudi, prandaj, që shfaqja e inteligjencës artificiale ka ngjallur kaq shumë kërshëri. Sot shohim makina që kryejnë detyra të cilat, deri jo shumë kohë më parë, dukeshin të pandashme nga mendja më e ndritur njerëzore.

Në librin “Si mendon IA-ja” (How AI Thinks), Najxhëll Tun (Nigel Toon) e vendos përshtatjen në zemër të inteligjencës. Speciet lulëzojnë sepse mësojnë nga mjedisi i tyre dhe ndryshojnë bashkë me të, duke u bërë gradualisht më të afta për të përballuar pasigurinë. Në këtë kuptim, inteligjenca artificiale nuk sjell ndërprerje të evolucionit njerëzor, por kapitullin e radhës. Në vend që ta zëvendësojë inteligjencën tonë, ajo e zgjeron dhe na ndihmon të zbulojmë modele të fshehura brenda sasive marramendëse të informacionit dhe t’i japim kuptim kësaj bote, kompleksiteti i së cilës po i tejkalon kufijtë e mendjeve individuale.

Pasi e mbylla librin, mendja më rrihte jo vetëm te zmadhimi i jashtëzakonshëm i inteligjencës që premton IA-ja, por edhe te një ide tjetër: ndoshta inteligjenca nuk ka qenë kurrë historia e plotë e species sonë.

Në pjesën më të madhe të historisë sonë, inteligjenca dhe të kuptuarit kanë ecur dorë për dore, aq sa rrallë kemi pasur nevojën t’i dallojmë. Priremi të besojmë se ata që dinë më shumë kuptojnë edhe më thellë. Inteligjenca artificiale na shtyn ta rishqyrtojmë këtë supozim, duke na treguar se inteligjenca mund të ekzistojë në forma që nuk i kishim imagjinuar më parë.

Por, të kuptosh është më shumë sesa të dish. Kuptimi lind kur informacioni takohet me kujtesën, përvojën, vlerat dhe marrëdhëniet njerëzore. Dy njerëz mund të lexojnë të njëjtin raport, të marrin pjesë në të njëjtin takim ose të analizojnë të njëjtat të dhëna e, sërish, të nxjerrin kuptime krejt të ndryshme, sepse secili sjell me vete një jetë të ndryshme kundrejt asaj që sheh. Faktet nuk vijnë të pajisura me kuptim, por kuptimi i tyre lind nga interpretimi.

Ky dallim po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në vendin e punës. Inteligjenca artificiale po e transformon mënyrën se si punojmë, redukton barrën administrative, sintetizon informacionin dhe zbulon lidhje që ose do të mbeteshin të padukshme, ose do të kërkonin shumë më tepër kohë për t’u zbuluar. Është e vështirë të mos jesh optimiste përballë këtyre mundësive. Nëse aftësia jonë për të përpunuar informacion po zgjerohet, a po rritet në të njëjtën masë edhe aftësia jonë për të marrë vendime më të mira? Disi, të kesh më shumë inteligjencë nuk krijon automatikisht më shumë kuptim.

Anketa për përfshirjen në aktivitetet e punonjësve mund të nxjerrë se motivimi i tyre ka rënë, por nuk mund të na tregojë si është ajo ndjenja kur, pak nga pak, pushon së besuari se puna ka rëndësi. Modeli parashikues mund ta identifikojë punonjësin që ka më shumë gjasa të japë dorëheqje, por nuk mund të kapë zhgënjimet e vogla që u mblodhën ditë pas dite dhe i paraprinë atij vendimi. Inteligjenca artificiale mund të hedhë dritë mbi modele që meritojnë vëmendjen tonë, por nuk mund të thotë pse ato modele kanë rëndësi për llojin e organizatës që duam të ndërtojmë.

Pikërisht këtu, lidershipi merr kuptim të ri.

Për shumë kohë, liderët janë vlerësuar sepse zotëronin informacion që të tjerët nuk e kishin. Gjithnjë e më shumë, ky avantazh do t’u përkasë sistemeve inteligjente, të afta të mbledhin, përpunojnë, interpretojnë dhe analizojnë shumë më tepër të dhëna sesa mundet secili individ. Prandaj, kontributi unik i liderëve mund të mos jetë më zotërimi i njohurive më të shumta, por kultivimi i kuptimit më të thellë. Detyra jonë nuk do të jetë më thjesht të dimë më shumë, por ta lidhim dijen me përvojën njerëzore dhe me qëllimin që i jep kuptim vendit të punës.

Te vizioni i Najxhëll Tunit vlerësoj më shumë optimizmin e tij. Ai nuk e paraqet inteligjencën artificiale si rivale të njerëzimit, por si një nga bashkëpunëtoret e tij më të rëndësishme, që zmadhon aftësinë tonë për t’u përshtatur. Edhe unë e ndaj këtë optimizëm, sepse çdo hap i madh teknologjik na ka dhënë njëkohësisht mundësinë të rizbulojmë diçka për veten tonë. Nëse IA-ja e zmadhon inteligjencën tonë, ajo, me gjasë, na risjell ndër mend edhe nevojën për ta kultivuar kuptimin më me vetëdije dhe për ta kërkuar me më shumë pikësynim.

Në fund të fundit, ndoshta dhurata më e madhe e inteligjencës artificiale nuk do të jetë vetëm ajo që na ndihmon të dimë, por fakti që do të na nxisë të reflektojmë më thellë se çfarë ka nënkuptuar gjithmonë të jesh njeri.

Lexo gjithashtu

Video

Protesta në ditën e 37. Qytetarët nisin të mblidhen në sheshin "Skënderbej".

Protesta e 37, nis marshimi drejt Kryeministrisë.

Autostrada Durrës–Tiranë është bllokuar përkohësisht në segmentin pranë Shijakut, për shkak të tymit të dendur të shkaktuar nga një zjarr në fshatin Koxhas. Prania e madhe e tymit ka reduktuar ndjeshëm shikueshmërinë në rrugë, duke u kthyer në një burim të rrezikshëm për aksidente të mundshme. Për këtë arsye, autoritetet kanë marrë vendimin për të mbyllur lëvizjen e automjeteve deri në normalizimin e plotë të situatës.

Në MetLife Stadium u zhvillua një festë e madhe për Norvegjinë, e cila mposhti Brazilin dhe siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026. Heroi i ndeshjes ishte Erling Haaland, i cili shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1. Pas përfundimit të takimit, në stadium shpërtheu entuziazmi i tifozëve norvegjezë. Haaland më pas mori pjesë në festime duke i rënë daulles dhe duke udhëhequr tifozët në “Viking Row”, rituali tradicional i festimit i njohur si “Viking Row”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme