Ndërtekst 28 July 2026, 11:47 Nga VNA

Kur mësojmë të bëhemi sërish rishtarë

Ndaje në Whatsapp
Kur mësojmë të bëhemi sërish rishtarë

“Kushdo që dëshiron të kontribuojë me krijimtarinë e vet jo vetëm që duhet të punojë brenda sistemit të krijimtarisë, por edhe ta riprodhojë atë sistem brenda mendjes së vet.”

— Mihai Çiksentmihai, Krijimtaria: psikologjia e zbulimit dhe shpikjes

Për krijimtarinë shprehemi shpesh sikur ajo fillon me të qenit origjinal. Në jetë dhe në punë admirojmë ata që mendojnë ndryshe, që kundërshtojnë të rëndomtën dhe sjellin ide të reja. Inovacioni është bërë një nga fjalët më të admiruara dhe më të kërkuara në jetën organizative, ku çdo strategji e premton, çdo drejtues thotë se e kërkon dhe çdo punonjës pretendon se e sjell.

Por, duke lexuar librin “Krijimtaria: psikologjia e zbulimit dhe shpikjes” (Creativity: The Psychology of Discovery and Invention) të Mihai Çiksentmihait (Mihaly Csikszentmihalyi), kuptova se zanafilla e vërtetë e krijimtarisë është shumë më befasuese. Krijimtaria nis nga përkatësia.

Autori parashtron se, përpara se dikush ta transformojë një fushë të caktuar, duhet së pari ta kuptojë atë; përpara se të vërë në pikëpyetje supozimet mbi të cilat mbështetet ajo fushë, duhet të mësojë gjuhën e saj; përpara se të krijojë diçka të re, duhet të përvetësojë sistemin që shpreson ta ndryshojë. Me fjalë të tjera, krijimtaria nuk zë fill si akt rebelimi kundër sistemit, por si një akt i vëmendjes së thellë ndaj tij. Kjo ide flet për diçka shumë më të madhe sesa vetë krijimtaria.

Shumica prej nesh kalojmë vite duke piketuar hartën e brendshme të botës profesionale ku jetojmë. Mësojmë gradualisht jo vetëm se si bëhen gjërat, por edhe pse bëhen pikërisht në atë mënyrë. Përthithim gjithçka rreth vendit tonë të punës: ritmin e takimeve, rregullat e pashkruara, vlerat që shpërblehen, vendimet që kanë ndikim dhe gjuhën që i jep identitet një profesioni. Më pas vazhdojmë ta riprodhojmë atë sistem brenda mendjes sonë derisa ai të bëhet thjerrëza përmes së cilës kuptojmë punën tonë, botën dhe, në fund, vetë jetën.

Pastaj, një ditë, sistemi ndryshon. Organizatat ristrukturohen, prioritetet zhvendosen, financimet pakësohen, shfaqen teknologji të reja, ndryshon lidershipi. Profesione të tëra shpërbëhen dhe të tjera lindin. Harta që kemi kaluar vite duke e piketuar nuk arrin më ta shpjegojë peizazhin përpara syve tanë.

Ndoshta kjo shpjegon pse ndryshimet në vendin e punës përjetohen aq thellësisht në nivel personal. Jemi mësuar ta përshkruajmë ndryshimin si mësim të procedurave të reja ose përshtatje me struktura të reja. Por ajo që shumë njerëz përjetojnë është diçka shumë më e thellë: u kërkohet të rindërtojnë botën e brendshme që kanë ndërtuar me durim për vite me radhë. Çdo tranzicion i rëndësishëm na kërkon të bëhemi sërish rishtarë.

Kjo më bëri ta lexoja ndryshe edhe një tjetër vëzhgim të Çiksentmihait, atë ku ai shkruan se kulturat mbijetojnë duke filtruar shumicën e ideve të reja që prodhojnë pjesëtarët e tyre. Në fillim, kjo tingëllon pothuajse pesimiste dhe bie ndesh me bindjen tonë se një vend pune i shëndetshëm duhet ta mirëpresë me entuziazëm çdo ide të re. Megjithatë, asnjë kulturë nuk do të mund të mbijetonte nëse gjithçka do të ndryshonte përnjëherë, madje as fushat më dinamike të punës. Stabiliteti mbështetet te vazhdimësia, ndërsa inovacioni dhe përshtatja kërkojnë tronditje. Çdo organizatë jeton pikërisht në tensionin mes këtyre dy forcave.

A mos vallë kjo shpjegon edhe pse kaq shpesh e keqkuptojmë aktin e krijimtarisë?

Priremi ta shohim krijimtarinë si një cilësi kryesisht individuale, si diçka që një individ ose e ka, ose nuk e ka. Çiksentmihai argumenton se krijimtaria lind nga marrëdhënia mes individit, fushës ku ai punon dhe mjedisit më të gjerë shoqëror që e rrethon. Krijimtaria ndikohet nga realitetet ekonomike, prioritetet organizative, vendimet politike dhe rrethanat e jetës së përditshme. Edhe njeriu me më së shumti imagjinatë nuk mund të krijojë lirshëm nëse çdo sinjal përreth tij, në mënyrë të heshtur, e dekurajon imagjinatën.

Kjo e zhvendos rrënjësisht mënyrën se si flasim për krijimtarinë në vendin e punës. Në vend që të pyesim përse njerëzit kanë ndaluar së qeni krijues, ndoshta duhet të pyesim: cilat janë ato kushte që e kanë bërë krijimtarinë gjithnjë e më të vështirë?

Vepra e Çiksentmihait është edhe shpresëdhënëse. Nëse jemi në gjendje ta përvetësojmë një sistem, atëherë jemi në gjendje edhe ta ndërtojmë një tjetër. Rishpikja e vetes nuk duhet parë si braktisje e gjithçkaje që kemi ditur dikur. Përkundrazi, ia vlen të kultivojmë idenë se rishpikja është puna e duruar e piketimit të hartës së re, duke marrë me vete urtësinë e hartës së vjetër. Nuk rifillojmë me duar bosh; rifillojmë ndryshe.

Nga Çiksentmihai mësova se krijimtaria është guximi për t’i parë peizazhet e njohura me sy të rinj. Vendet e punës që mbeten vërtet të gjalla janë ato që i ndihmojnë njerëzit të bëhen sërish rishtarë, pa i bërë të ndihen se gjithçka që kanë mësuar deri në atë çast e ka humbur vlerën.

Lexo gjithashtu

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme