Ndërtekst 13 July 2026, 13:15 Nga Linda Baleta

Kur e shkuara mëson të kodojë

Ndaje në Whatsapp
Kur e shkuara mëson të kodojë

 

“Kur projektojmë algoritma vezullues, futuristë dhe në dukje të patëmetë dhe i mësojmë ata me të dhëna të meta, të anshme dhe të mangëta, rrezikojmë që në të ardhmen e sistemeve tona shëndetësore të rrënjosim ciklet e dëmshme që në fakt duhet t’i thyejmë. Nuk është aspak ekzagjerim nëse themi se njerëzit po e paguajnë këtë dhe do të vazhdojnë ta paguajnë me jetët e tyre.”

— Lora Bejts, Epoka e re e seksizmit – si po e rishpik misogjininë revolucioni i inteligjencës artificiale

Kur flasim për inteligjencën artificiale, shpesh imagjinojmë teknologji që do t’i japin formë të re së ardhmes, me mënyra të tilla që brezat e mëparshëm mezi do t’i kishin përfytyruar. Gjuha që përdorim për IA-në është përplot me fjalë si inovacion, revolucion dhe transformim, duke na dhënë përshtypjen se gjendemi në prag të një kapitulli krejtësisht të ri në historinë e njerëzimit.

Këtu hyn në lojë Lora Bejts (Laura Bates) me librin e saj Epoka e re e seksizmit – si po e rishpik misogjininë revolucioni i inteligjencës artificiale (The New Age of Sexism – How the AI Revolution is Reinventing Misogyny), që na risjell në bisedë se inteligjenca artificiale nuk lind nga e ardhmja, por buron nga e kaluara.

Çdo sistem inteligjent mëson nga diçka që tashmë ekziston. Ai mëson nga informacioni që i kemi dhënë, nga librat që kemi shkruar, nga pikselët e imazheve që kemi etiketuar, nga vendimet që kemi marrë dhe nga modelet që kemi lënë pas. Mëson nga arritjet tona, por edhe nga mangësitë tona; nga zbulimet tona, por edhe nga paragjykimet tona. Inteligjenca artificiale nuk e shpik paragjykimin njerëzor, por e trashëgon.

Ky ishte mendimi kryesor që më shoqëroi edhe pasi mbylla librin dhe më shtyu ta shqyrtoj me veten: a është vallë pyetja më e rëndësishme rreth inteligjencës artificiale se sa inteligjente do të bëhet ajo, apo çfarë lloj njerëzimi do të mbajë mend dhe do ta bartë me vete drejt së ardhmes?

Lora Bejts e trajton këtë pyetje përmes thjerrëzës së aspektit gjinor dhe shpalos se si pabarazitë historike mund të rrënjosen në algoritmet që gjithnjë e më shumë ndikojnë në rekrutim, kujdes shëndetësor, polici dhe në një sërë aspektesh të jetës sonë të përditshme. Shembujt që ajo sjell janë bindës dhe thellësisht shqetësues, sepse hedhin dritë mbi diçka shumë më të rëndë sesa thjesht seksizmi. Shembujt e saj na kujtojnë se teknologjia nuk ndërtohet kurrë mbi arë djerrë. Çdo grup të dhënash bart histori. Çdo model trashëgon një kulturë. Çdo parashikim pasqyron zgjedhje që dikush, diku, ka bërë dikur.

Teknologjinë e përfytyrojmë shpesh si objektive, vetëm sepse mbështetet në matematikë. Mirëpo, inteligjenca artificiale e thërmon këtë iluzion, pasi na tregon se algoritmet vërtet mund të llogarisin me saktësi të jashtëzakonshme, por vazhdojnë të mësojnë nga përvoja njerëzore, e përvoja njerëzore kurrë nuk ka qenë e çliruar nga paragjykimet.

Ky reflektim shtrihet edhe në vendin e punës.

Organizatat trashëgojnë po aq sa krijojnë. Kultura organizative rrallë ndodh të ndërtohet nga e para; kryesisht trashëgohet nga e djeshmja. Këtë trashëgimi e shohim në mënyrën se si punonjësi i ri mëson jo vetëm rregulloret zyrtare, por edhe politikën e zyrës, përvetëson shprehi, norma të pashkruara dhe mënyra sjelljeje. Kjo mund të jetë arsyeja pse ndryshimi i vërtetë i kulturës organizative është kaq i vështirë.

Teksa lexoja librin e Bejtsit, nisa të mendoj nëse inteligjenca artificiale po na shpalos më pak për makinat dhe më shumë për vetveten. IA-ja na ka shtyrë të rimendojmë jo vetëm gjuhën dhe inteligjencën, por edhe kujtesën. Jo kujtesën si diçka që secili prej nesh mban brenda vetes, por kujtesën si gjithçka që shoqëritë tona zgjedhin të ruajnë dhe t’ua përcjellin brezave të ardhshëm. Inteligjenca artificiale po shndërrohet në një nga arkivat më të mëdha të dijes njerëzore që kemi krijuar ndonjëherë. A do të bëhet vallë edhe arkiv i supozimeve tona të pashqyrtuara dhe paragjykimeve që nuk i kemi kundërshtuar kurrë?

Çdo brez i lë trashëgimi brezit pasardhës. Sot, për herë të parë në histori, një pjesë e kësaj trashëgimie nuk po i besohet vetëm fëmijëve tanë, por edhe sistemeve inteligjente që do të ndikojnë gjithnjë e më shumë në jetën e këtyre fëmijëve. Çdo grup të dhënash është edhe histori për atë që kemi qenë. Çdo model ngre pyetjen se çfarë po bëhemi. Ajo që zgjedhim t’u mësojmë këtyre sistemeve dhe fëmijëve tanë mund të jetë pasqyra më jetëgjatë e asaj se kush kemi qenë.

Kjo është përgjegjësi e thellë. E ardhmja e inteligjencës artificiale do të varet jo vetëm nga ajo që makinat do të mësojnë, por edhe nga ajo që njerëzimi zgjedh t’u mësojë këtyre makinave.

Lexo gjithashtu

Video

148 nënshkrime kundër tij, Abdixhiku pezullon negociatat me VV-në për formimin e institucioneve Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëzimit të 148 nënshkrimeve të delegatëve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe kërkesës për shkarkimin e tij. Ai ka autorizuar sekretarin e përgjithshëm të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit, ndërsa ka bërë të ditur se do të ndërpresë angazhimet në negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke argumentuar se mandati i tij për të përfaqësuar partinë është vënë në pikëpyetje. Lajmi në komentin e parë

Dita e 46 e protestës, nis marshimi në rrugët e Tiranës

13.7 milionë euro vetëm për bar, pemë dhe shkurre! Tenderin e autostradës Tiranë-Durrës e fiton “Fusha” Lexoje lajmin në linkun në koment⬇️

Nxehet situata në PD por kësaj here jo nga vapa

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme