“Njësoj si vlera funksionale e qelizës për të gjithë organizmin, edhe individualiteti unik i secilës qenie njerëzore merr vlerë nëpërmjet marrëdhënies me të tërën e plotë, pra, me bashkësinë njerëzore”.
— Viktor Frankl, Thuaji jetës po, pavarësisht të gjithave
Gjatë pjesës më të madhe të asaj që konsiderojmë “jetë modern”, na kanë nxitur ta vlerësojmë individualitetin: si ta gjejmë rrugën tonë, si t’i ndjekim ambiciet personale dhe si ta mbrojmë pavarësinë tonë. Arritjet individuale, performanca individuale dhe vlerësimi individual janë shndërruar në matësit më të shpeshtë të suksesit. Nga ana tjetër, bashkësia – apo komuniteti – shpeshherë shihet si barrë, rëndësinë e së cilës nisim ta kuptojmë kryesisht kur bashkësia fillon e shpërbëhet, krahas me gjithçka që ofron.
Si mund të mbetemi bashkësi pikërisht atëherë kur rrethanat na tundojnë të bëhemi më pak njerëzorë? Në kërkim të ndonjë përgjigjeje të rrënjosur thellë në vetë kuptimin e të qenit njeri, iu riktheva faqeve të librit “Thuaji jetës po, pavarësisht të gjithave” (Yes to Life: In Spite of Everything) të Viktor Franklit. Në këtë libër, ai sugjeron se njeriu nuk e gjen kuptimin në izolim, por si pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. “Ashtu si qeliza e vetme e kupton funksionin e vet vetëm brenda organizmit të gjallë, ashtu edhe çdo qenie njerëzore e gjen vlerën nëpërmet marrëdhënies me bashkësinë njerëzore”, shkruan ai. Kjo është ide e thjeshtë, por që më bën ta pyes veten sa here e risjellim ndër mend brenda vendeve tona të punës.
Vendet e punës kanë qejf të vetëpërshkruhen si “komunitete”. Aty flasin për mision të përbashkët, për vlera të përbashkëta dhe punë në ekip. Në periudha stabiliteti, këto fjalë vijnë natyrshëm. Vetëm kur ia behin pasiguria dhe ndryshimi zbulojmë nëse ato fjalë janë realiteti apo thjesht retorika.
Herët a vonë, çdo vend pune kalon nëpër periudha pasigurie. Strategjitë ndryshojnë, shfaqen shkrirjet e organizatave, pozicionet bëhen të pasigurta dhe e ardhmja që dikur dukej e parashikueshme, papritur bëhet e brishtë. Këto çaste kthese nuk ndryshojnë vetëm organigramat, por edhe marrëdhëniet. Kolegët fillojnë të fshehin informacionin që dikur e ndanin lirshëm. Bisedat bëhen më të kujdesshme. Besimi ia lëshon vendin llogaritjeve. Komuniteti që dikur dukej i natyrshëm fillon të kriset e çahet nën peshën e instinktit për mbijetesë individuale.
Frankli me siguri nuk do të befasohej.
Një nga vëhgimet që m’u ngulit gjatë rileximit të librit ishte fjalia e tij “reagimi jonormal ndaj situatës jonormale përbën sjellje normale”. Është mendim thellësisht i përdëllyer, apo jo, sepse nuk e tkurr frikën në dobësi dhe as ankthin në dështim personal, përkundrazi, na rikujton se njerëzit reagojnë ndaj mjedisit ku jetojnë. Kur rrethanat bëhen të pasigurta, pasiguria fillon të flasë përmes njerëzve.
Prandaj, në vend se ta shtrojmë pyetjen pse njerëzit janë bërë më të rezervuar, më emocionalë, më agresivë, më pak bujarë apo më pak tolerantë, ndoshta lidershipi duhet së pari të pyesë se cilat kushte i kanë nxitur pikërisht këto reagime. Vendet e punës i trajtojnë reagimet emocionale si probleme që duhen menaxhuar, ndërkohë që ato mund të jenë sinjale të cilat tregojnë se në çfarë është shndërruar vetë organizata.
Kjo më shtyu tek dallimi që Frankli bën mes mendjes dhe psikikës: “Mendja nuk mund të sëmuret. Dimensioni kognitiv mund të jetë vetëm i vërtetë ose i rremë, i vlefshëm ose i pavlefshëm, por kurrë i sëmurë. Ajo që mund të sëmuret është vetëm psikika”. Mendja mund të arrijë në përfundime të sakta ose të gabuara, por është jeta emocionale ajo që vuan nën kushte të padurueshme. Në jetën organizative, shpesh ngutemi ta korrigjojmë mënyrën si mendojnë njerëzit, por i kushtojmë shumë më pak vëmendje se çka u shkaktojnë pasiguria e zgjatur, frika apo humbja botës së brendshme të punonjësve. Kërkojmë nga punonjësit të mbeten racionalë, ndërkohë që shpërfillim realitetin të cilin ata po përpiqen ta përballojnë.
Këtu kemi dhe një nga përgjegjësitë më pak të përmendura të lidershipit, sidomos në periudha ndryshimesh të mëdha dhe pasigurie.
Lidershipi përshkruhet shpesh si aftësia për të hartuar strategji, për të marrë vendime të vështira, për ta përballuar kompleksitetin dhe për të arritur sukses. Frankli na sjell dhe një mundësi tjetër: se lidership do të thotë edhe të mbrosh njerëzoren e një komuniteti profesional pikërisht atëherë kur rrethanat i shtyjnë njerëzit ta braktisin. Kjo nuk arrihet duke u hequr se pasiguria nuk ekziston, por duke mos lejuar që frika të bëhet parimi sipas të cilit punonjësit fillojnë ta trajtojnë njëri-tjetrin.
Optimizmi i Franklit edhe është keqkuptuar ndonjëherë si thirrje për ta shpërfillur vuajtjen dhe për të glorifikuar reziliencën. Unë e lexoj ndryshe. Mendoj se ai nuk na fton ta mohojmë realitetin, por ta ruajmë njerëzoren brenda tij, sidomos kur frika vjen dhe zë vend në zyrë.
Mësimi më i rëndësishëm që marr sot nga “Thuaji jetës po” është se komunitetet vetëshpalosen pikërisht kur fillojnë të shpërbëhen, ndërsa individët zbulojnë se kush janë në mënyrën se si zgjedhin të mbeten njerëzorë kur e ardhmja bëhet e pasigurt. Lidershipi është arti i mbrojtjes së komunitetit pikërisht atëherë kur frika i shtyn të gjithë të bëhen sërish vetëm individë.






















