Një grup investitorësh gjermanë, ku bëjnë pjesë edhe yjet e futbollit Thomas Muller, Mats Hummels, Yann Sommer dhe Lucas Hernandez, ka blerë 90 për qind të aksioneve të klubit portugez Estrela da Amadora.
Marrëveshja kap vlerën e 40 milionë eurove, duke u konsideruar si shitja më e shtrenjtë në historinë e një SAD-i, shoqëri aksionare sportive në futbollin portugez.
Grupi i investitorëve udhëhiqet nga fondet ADvantage dhe LEAD, me mbështetjen e KI Group, ndërsa katër futbollistët janë pjesë e investitorëve strategjikë të projektit.
Klubi portugez ka njoftuar se struktura e re e aksionarëve bashkon investitorë me eksperiencë në sport, investime dhe teknologji, së bashku me figura të njohura të futbollit ndërkombëtar.
Pas ndryshimit të pronësisë do të ketë edhe ndryshime në drejtimin e klubit. Johannes Mosmang, një sipërmarrës gjerman 35-vjeçar, do të marrë detyrën e presidentit të Estrela da Amadoras, duke pasuar Paul Lop, i cili e drejtoi klubin që nga viti 2020.
Estrela da Amadora në formën e saj aktuale u themelua në vitin 2020, pas bashkimit të Clube Desportivo Estrela dhe Clube Sintra Football. Klubi ka përjetuar një ngjitje të shpejtë, duke kaluar nga niveli i katërt i futbollit portugez deri në Primeira Liga, ku garon që prej vitit 2023.
Me investimin prej 40 milionë eurosh dhe me katër emra të njohur të futbollit evropian tashmë pjesë e pronësisë, Estrela synon të ndërtojë një projekt më ambicioz dhe të konsolidohet në elitën e futbollit portugez.






















