Barcelona nuk ka bërë asnjë ofertë për Lautaro Martinez dhe sulmuesi i Interit nuk konsiderohet më një objektiv prioritar nga klubi katalanas, i cili vijon të kërkojë një numër 9 të ri për sezonin e ardhshëm.
Me afrimin e fundit të afatit kalimtar të verës, Barcelona mbetet e fokusuar te Julian Alvarez, pavarësisht se Atletico Madrid nuk dëshiron të lejojë largimin e yllit të saj drejt një rivali direkt. Sipas gazetarit të njohur katalanas Gerard Romero, Barcelona nuk ka paraqitur asnjë ofertë zyrtare për Lautaron, ndërsa as sulmuesi argjentinas nuk ka marrë ndonjë ofertë nga klubi blaugrana.
Lautaro ka qenë më herët një prej objektivave kryesorë të Barcelonës, por situata ka ndryshuar dhe kapiteni i Interit tashmë ka zbritur në listën e prioriteteve. Objektivi numër një mbetet Julian Alvarez, por një marrëveshje me Atletico Madrid duket e vështirë, pasi klubi madrilen nuk është i gatshëm të humbasë një prej lojtarëve më të rëndësishëm në favor të një rivali të drejtpërdrejtë.
Nëse tentativa për Alvarez dështon, Barcelona ka shqyrtuar disa alternativa, mes tyre Viktor Gyokeres, Luis Suarez, Nicolo Tresoldi dhe Victor Osimhen. Megjithatë, deri tani asnjë prej këtyre emrave nuk duket se e ka bindur plotësisht drejtuesit katalanas.
Në këtë situatë, Barcelona mund të zgjedhë të vazhdojë sezonin me lojtarët që ka aktualisht në dispozicion. Një emër që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje është edhe Hamza Abdelkarim, me klubin katalanas që e sheh sulmuesin e ri egjiptian si një alternativë me potencial për të ardhmen në pozicionin e numrit 9.
Ndërkohë, Karim Adeyemi, Dani Olmo dhe Raphinha mund të përdoren gjithashtu në qendër të sulmit, duke i dhënë Hansi Flick disa alternativa taktike.
Me pak ditë deri në mbylljen e merkatos, Barcelona duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, të investojë për një numër 9 të ri apo të vijojë sezonin me alternativat që ka në skuadër.






















