Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka kritikuar ashpër presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për projektin e dështuar për shitjen e aksioneve në Kupën e Botës, duke e cilësuar atë si një ide edhe më të rrezikshme se Superliga Evropiane.
Në një intervistë për podcastin “The Rest is Politics: Leading”, Ceferin deklaroi se tentativa për të komercializuar një pjesë të të drejtave të Kupës së Botës do të përbënte një kërcënim serioz për futbollin.
“Unë mendoj se ky plan është edhe më i keq se Superliga. Në rastin e parë, disa prej klubeve më të rëndësishme donin të krijonin një ligë të tyre, gjë që ishte e gabuar dhe do ta shkatërronte futbollin. Por këtu futbolli do të ishte fjalë për fjalë i shitur”, deklaroi kreu i UEFA-s.
Ceferin theksoi se për të, një nga elementët më të rëndësishëm është fakti që kjo përpjekje për ta komercializuar sportin u ndalua.
“Gjëja më e rëndësishme për mua është se e ndaluam edhe një përpjekje tjetër për ta shitur sportin. E kam të vështirë të imagjinoj se çfarë lloj njerëzish do ta shisnin një sport që u përket të gjithëve”, u shpreh ai.
Presidenti i UEFA-s nuk beson se një projekt i ngjashëm mund të rikthehet së shpejti, duke vlerësuar se një skenar i tillë është ende shumë larg realizimit.
“Ndoshta mund të ndodhë pas 20 vitesh, nuk i dihet kurrë, por për momentin bashkëpunojmë shumë mirë me të gjithë. Jam i sigurt se diçka e tillë nuk mund të ndodhë në 10 vitet e ardhshme”, tha Ceferin.
Më tej, ai konfirmoi se nuk ka komunikuar me Infantinon që prej shpërthimit të aferës lidhur me projektin FFE dhe la të kuptohet se pozita e presidentit të FIFA-s mund të vihet nën presion.
“Nuk kam folur me të dhe ai nuk më ka kontaktuar që nga momenti kur ndodhi kjo. Ekzistojnë dy mundësi. E para është që ai ta kuptojë se nuk ka mbështetje dhe nuk po flas vetëm për mbështetjen politike të atyre që votojnë, por për mbështetjen e komunitetit të futbollit, tifozëve, lojtarëve, ish-lojtarëve dhe trajnerëve”, deklaroi Ceferin.
Në fund, kreu i UEFA-s paralajmëroi se nëse Infantino vendos të kandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet e marsit, mund të përballet me një kundërkandidat.
“Mundësia e dytë është që të kandidojë në zgjedhjet e marsit. Por, në atë rast, mendoj se do të ketë një kundërkandidat. Ende nuk e di se kush do të jetë”, përfundoi presidenti i UEFA-s.






















