Arsenali është në negociata me Al-Hilal për transferimin e Gabriel Martinellit, me sulmuesin brazilian që mund të largohet nga “Topçinjtë” në ditët e fundit të merkatos së verës. Sipas raportimeve të fundit, klubi saudit e ka bërë 25-vjeçarin një nga objektivat kryesorë të tij për këtë afat kalimtar.
Gazetari David Ornstein raporton se Arsenali e vlerëson Martinellin rreth 70 milionë euro, ndërsa vetë lojtari është i hapur për një transferim në Arabinë Saudite. Negociatat mes dy klubeve vijojnë, por deri tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.
Nëse transferimi realizohet për një shumë të përafërt me vlerësimin e Arsenalit, Martinelli do të bëhej shitja më e shtrenjtë në historinë e klubit londinez. Rekordi aktual mbahet nga Alex Oxlade-Chamberlain, i cili në vitin 2017 u transferua te Liverpool për rreth 38 milionë euro.
Martinelli iu bashkua Arsenalit në vitin 2019, kur u transferua nga Ituano. Gjatë aventurës së tij në Londër, braziliani ka shënuar 62 gola në 278 paraqitje, por e ardhmja e tij në klub është vënë seriozisht në pikëpyetje pasi nuk ishte pjesë e skuadrës as në Community Shield dhe as në ndeshjen hapëse të Premier League.
Braziliani kishte refuzuar më herët një transferim te Galatasaray, por situata duket se ka ndryshuar dhe ai tashmë është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e një kalimi te Al-Hilal.
Një transferim për rreth 70 milionë euro do t’i garantonte Arsenalit një shumë rekord nga shitja e një lojtari dhe do t’i krijonte klubit hapësirë të mëtejshme financiare për të tentuar afrime të tjera para mbylljes së merkatos.






















