Sport 24 August 2026, 21:45 Nga VNA

Luis Enrique rrëfen “El Clasicon” e zjarrtë të Figos: Ishte e pamundur të humbnim

Ndaje në Whatsapp
Luis Enrique rrëfen “El Clasicon” e zjarrtë të Figos:

Luis Enrique ka rikthyer në vëmendje një prej mbrëmjeve më të tensionuara dhe emocionuese në historinë e “El Clasicos”, atë të 21 tetorit 2000, kur Luis Figo u rikthye në “Camp Nou” për herë të parë me fanellën e Real Madridit, vetëm pak muaj pasi ishte larguar nga Barcelona.

Transferimi i portugezit te rivali i përjetshëm kishte shkaktuar zemërim të madh te tifozët katalanas, ndërsa atmosfera në stadium atë mbrëmje ishte e jashtëzakonshme. Luis Enrique, i cili në atë kohë ishte pjesë e Barcelonës, e kujton atë sfidë si një prej ndeshjeve më të veçanta të karrierës së tij.

“Ndeshja me atmosferën më të pabesueshme që kam përjetuar si lojtar në Camp Nou ishte dita kur Figo u kthye. Kam luajtur atje për tetë vjet, por ajo ditë ishte e veçantë”, rrëfeu Enrique në dokumentarin Camp Nou.

Figo kishte qenë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Barcelonës përpara transferimit te Real Madridi në verën e vitit 2000, duke e bërë rikthimin e tij në Katalonjë edhe më të tensionuar.

“Figo ishte si një vëlla për ne. Ishte lojtari ynë më i mirë dhe u largua për në Madrid”, kujtoi Enrique, i cili aktualisht drejton Paris Saint-Germainin.

Ish-futbollisti spanjoll tregoi se atmosfera në “Camp Nou” ishte e jashtëzakonshme shumë kohë përpara startit të ndeshjes. “Zakonisht Camp Nou është gjysmë bosh gjysmë ore para ndeshjes. Por atë ditë, 45 minuta para fillimit ishte plotësisht i mbushur. Po ngroheshim dhe nuk mund ta dëgjonim njëri-tjetrin”, tregoi ai.

Në atë moment, Enrique u kishte thënë bashkëlojtarëve se Barcelona nuk mund të humbiste atë ndeshje. “Nuk ka rëndësi kush luan me fanellën e Barcelonës, është e pamundur të humbim. Kishte një energji që ishte pothuajse e frikshme”, rrëfeu ai.

Dhe parashikimi i tij u realizua. Barcelona triumfoi 2-0, me njërin prej golave që u shënua pikërisht nga Luis Enrique.

Ai kujtoi gjithashtu përballjen mes Figos dhe një Carles Puyol shumë të ri. “Mbaj mend që Figo u markua nga Puyi, një Puyi shumë i ri, por një bishë. Figo ishte lojtari më i mirë i Real Madridit, pavarësisht presionit që nuk e kisha imagjinuar kurrë. Ne e fituam ndeshjen sepse ishte e pamundur të mos e fitonim”, deklaroi Enrique.

Pavarësisht rivalitetit historik mes Barcelonës dhe Real Madridit, trajneri spanjoll e konsideron këtë përballje si të domosdoshme për të dy klubet. “Çfarë do të ishte Real Madridi pa Barcelonën dhe Barcelona pa Real Madridin? Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Ndërkohë, edhe pse ka shkruar faqe të rëndësishme të historisë së Barcelonës si futbollist dhe trajner, Enrique ka përjashtuar një rikthim të mundshëm në stolin e klubit katalanas. I pyetur nëse do ta drejtonte sërish Barcelonën, përgjigjja e tij ishte e shkurtër: Sinqerisht? Jo”.

Video

Vazhdojmë me kilometrin e fundit..

Një helikopter dyvendësh u rrëzua mëngjesin e sotëm pranë liqenit Campliccioli në veri të Italisë, pasi u përplas me kabllot e një teleferiku. Helikopteri goditi strukturën e përdorur nga kompania Enel për të aksesuar digën dhe përfundoi pranë brigjeve të liqenit. Si pasojë e aksidentit tragjik humbën jetën të dy personat që ndodheshin në bord. Viktimat janë piloti 62-vjeçar Alessandro Muscinelli dhe kunata e tij, 63-vjeçarja Antonella Pagliarani.

Përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Tibet kanë shkaktuar mbi 200 të vdekur dhe rreth 1,300 të zhdukur, mes të cilëve mbi 300 turistë të huaj nga SHBA-ja, Gjermania e Spanja, si dhe punonjës koreano-jugorë. Ngjarja dyshohet se u shkaktua nga shembja e një akullnaje dhe një rrëshqitje masive dheu, e cila fillimisht u regjistrua nga USGS si lëkundje me magnitudë 4.4. Katastrofa ka shkatërruar fshatra, ura e rrugë kryesore, ndërsa shkencëtarët kujtojnë se ngrohja e shpejtë e rajonit të Himalajeve po nxit shkrirjen e akullnajave dhe reshjet extreme.

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme