
Të shtëna me armë janë raportuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Zbarqe, në zonën e Ndroqit, duke vënë në lëvizje Policinë.
Sipas informacionit paraprak, në Sallën Operative të DVP Tiranë është njoftuar se në zonë ishin dëgjuar të shtëna me armë. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje.
Gjatë kontrollit të zonës dhe veprimeve të para hetimore, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu tip çifte, së bashku me municion.
Katër persona janë shoqëruar në Komisariat për t'u marrë në pyetje dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e rrethanave në të cilat kanë ndodhur të shtënat.






















