
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në hyrje të Korçës, pranë fshatit Çiflig, ku një 60-vjeçar ka humbur jetën dhe një punonjës policie ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, efektivi i Policisë Rrugore, i cili sapo kishte përfunduar shërbimin, po udhëtonte me automjetin e tij kur është përplasur me një motomjet.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit, rreth 60 vjeç, ka humbur jetën. Ndërkohë, punonjësi i policisë ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Korçës.
Efektivi ndodhet në repartin e reanimacionit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.






















