SPAK urdhëron kontrolle në shtëpinë e biznesmenit izraelit Ron Yeffet, në periferi të Tiranës, në kuadër të një hetimi që nisi kryesisht pas publikimeve të disa audiopërgjimeve nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj. Yeffet njihet edhe si një prej miqve të besuar të kryeministrit Edi Rama.
Burime pranë Prokurorisë së Posaçme thanë se është urdhëruar kontroll edhe për drejtorin e kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, i cili më herët ka ushtruar edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërsa është ushtruar kontroll te Arjeta Puca e kompanisë Timak Defence.
Mësohet se, në kuadër të hetimit që po drejtohet nga kreu i SPAK, Klodian Braho, kontrollit i janë nënshtruar edhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë aksionit të BKH-së janë sekuestruar kontratat mes kompanisë së Yeffet dhe kompanisë KAYO.
Hetimet nisën pas publikimeve të disa audiopërgjimeve nga ana e ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, i cili, ndër të tjera, ngriti dyshime edhe për trafik armësh.






















