Kronika 3 October 2026, 12:36 Nga VNA

Detaje të reja nga kontrollet e SPAK te miku i Ramës, Ron Yeffet e Ardi Veliu. Hetimi në fokus kompanitë e amerikano-izraelitit

Ndaje në Whatsapp
Detaje të reja nga kontrollet e SPAK te miku i Ramës, Ron Yeffet e

Telefona, kontrata dhe një skemë kompanish private të lidhura me kompaninë shtetërore KAYO janë tashmë në duart e hetuesve të SPAK. Në qendër të hetimit është biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet, mik i kryeministrit Edi Rama, ndërsa prokurorët po kërkojnë të zbardhin nëse kompanitë e tij janë favorizuar nga zyrtarë të shtetit.

Ron Yeffet ndodhej në vilën luksoze në periferi të Tiranës, kur hetuesit zbarkuan aty për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të ushtruar kontroll pas një hetimi të çelur nga SPAK për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Biznesmeni amerikano-izraelit, mik i kryeministrit Edi Rama, sipas hetuesve reagoi qetësisht dhe lejoi kontrollin e banesës dhe iu dorëzoi edhe celularin e tij.

Ndërkohë drejtori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, nuk është gjetur në banesën e tij, por telefoni i është sekuestruar në zyrën e tij të punës.

Hetuesit kanë sekuestruar ndërkohë disa kontrata, pasi ka dyshime se kompanitë e Yeffet mund të jenë favorizuar nga zyrtarët shtetërorë.

Hetimi nisi pas publikimit të disa audiopërgjimeve nga Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri në arrati që ngriti dyshime edhe për trafik armësh.

SPAK po heton për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Në fokus të hetimit janë kompanitë Timak Defence dhe ADVANCED ARMS TECHNOLOGY.

Referuar të dhënave të OPEN Data, TIMAK Defence zotërohet nga kompania TIMAK shpk në masën 80 për qind dhe 20 për qind nga kompania shtetërore KAYO.

Biznesmeni amerikano-izraelit, Yeffet zotëron 49% të kompanisë TIMAK, pjesën tjetër e zotëron Arjeta Puca, e cila ishte po ashtu subjekt i kontrolleve.

ADVANCED ARMS TECHNOLOGY zotërohet nga UNO 18 me 80 për qind të aksioneve dhe KAYO me 20 për qind.

Kompania UNO 18 zotërohet nga Ron Yeffet në 50 për qind të aksioneve, ndërsa 50 për qind i zotëron Arjeta Puca. Dhe kjo e fundit ka qenë pjesë e kontrolleve të BKH bashkë me Aleks Markun aktualisht drejtor i Licencimit dhe Autorizemeve në Ministrinë e Mbrojtjes.


Emri i Ron Yeffet është përmendur publikisht në muajt e fundit në lidhje me sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe raportet e kompanive private me KAYO-n, shoqërinë shtetërore të krijuar për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake. Yeffet është shfaqur gjithashtu publikisht pranë kryeministrit Edi Rama në aktivitete të lidhura me industrinë e mbrojtjes.

Çështja mori një tjetër dimension pas publikimit nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj të audiopërgjimeve dhe pretendimeve për mënyrën e funksionimit të këtij sektori dhe për trafik armësh. Këto mbeten pretendime të Ahmetajt dhe nuk përbëjnë në vetvete prova për përgjegjësi penale.

Hetimi i SPAK është përqendruar te dyshimet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Kontrollet dhe sekuestrimet e telefonave apo dokumenteve janë veprime hetimore dhe nuk nënkuptojnë se personat apo kompanitë e përfshira janë shpallur fajtorë.

Video

Gazetarët izraelitë u përplasën me zyrtarët irlandezë të medias gjatë një konference të tensionuar për shtyp, duke bërë që ndeshja Izrael–Irlandë të zhvillohet në Serbi dhe jo në Dublin

Përplasje të forta në Francë, protestat përshkallëzohen Protestat e nxënësve në Francë janë shoqëruar me përplasje me policinë, gaz lotsjellës dhe zjarre në disa qytete. Protestuesit kërkojnë më shumë investime në arsim, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Pamjet tregojnë momentet e tensionuara gjatë protestave.

“Grepi” i SPAK mbërrin te KAYO: industria në emër të shtetit, biznesi në duart e privatëve

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme