Një 21-vjeçar i identifikuar si Engjëll Karoshi u vu në pranga nga policia e Dibrës, pasi dyshohet se kërcënoi pronarin e një karburanti që, nëse nuk i paguante 50 mijë euro, do t’i hidhte në erë biznesin me lëndë shpërthyese.
Operacioni policor për kapjen e tij u kodua “Kërcënimi” dhe ndaj 21-vjeçarit Engjëll Karoshi u ngrit akuza e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nga hetimet rezultoi se një ditë më parë, i riu dyshohet se kishte vendosur në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh. një kuti të dyshimtë. Sipas hetuesve, mbi këtë kuti ai kishte vendosur një ekran, pjesë elektronike dhe tela, për të krijuar idenë se bëhej fjalë për një minë të telekomanduar që mund të shpërthehej në distancë.
Mbi kuti, hetuesit thanë se kishte vendosur edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkonte t’i paguhej shuma prej 50 mijë eurosh.
Ai kërkonte që kjo shumë të paguhej në kriptomonedha.
Autori paralajmëronte se do ta shpërthente minën e telekomanduar nëse nuk paguheshin paratë ose njoftohej policia.
Pronari i karburantit vendosi të njoftonte policinë dhe forcat xheniere zbuluan se brenda kutisë nuk kishte lëndë shpërthyese.
Njoftimi policisë
DIBËR
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kërcënimi”.
Vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj, në këmbim të 50 000 eurove. Policia zbardh brenda pak orëve ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar.
Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.






















