
Skandali KAYO ka vënë në pikëpyetje mënyrën si shteti shqiptar ndërton partneritete me privatët dhe përdor paratë e taksapaguesve në industrinë e mbrojtjes. Një projekt i paraqitur si ringritja e prodhimit ushtarak vendas u organizua përmes kompanive të përbashkëta, ku partnerët privatë zotërojnë shumicën e aksioneve, ndërsa shteti mbetet njëkohësisht ortak dhe klient.
Problemi nuk është vetë bashkëpunimi me biznesin. Problemi është çfarë merr publiku në këmbim të pasurive, pagesave dhe mundësive që shteti krijon. Kush i zgjodhi partnerët? Si u vlerësuan kontributet e tyre? Sa kanë investuar realisht dhe çfarë garancish kanë dhënë? Këto pyetje bëhen edhe më të rëndësishme kur kompanitë e përbashkëta furnizojnë vetë institucionet shtetërore.
Kontrollet e 2 tetorit e kanë kaluar çështjen KAYO nga denoncimet publike në veprime konkrete hetimore. Me autorizim të Gjykatës së Posaçme, BKH kontrolloi banesën e Ron Yeffet në periferi të Tiranës. Sipas informacionit të raportuar, biznesmeni ishte i pranishëm, lejoi kontrollin dhe dorëzoi celularin.
Administratori i KAYO-s, Ardi Veliu, nuk u gjet në banesë, ndërsa telefoni iu sekuestrua në zyrën e punës. Hetuesit morën edhe kontrata, në kuadër të hetimit të SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë, për të zbardhur nëse kompanitë e Yeffet janë favorizuar nga zyrtarë shtetërorë.
Si nisi projekti KAYO
KAYO u krijua në shtator të vitit 2024, si kompani shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. Ajo përthithi aktivitetin e ndërmarrjeve të Mjekësit, Poliçanit dhe Gramshit. Aksionari i vetëm është Ministria e Mbrojtjes, ndërsa në të e administrator është Ardi Veliu.


Premtimi ishte ringritja e industrisë ushtarake shqiptare, me teknologji, vende pune dhe eksporte. Por mënyra si u organizua projekti krijoi një kontrast të fortë, kompania shtetërore KAYO hyri në shoqëri të përbashkëta ku shumicën e aksioneve e morën privatët. Pas emrit shtetëror qëndron kështu një rrjet biznesesh me shumicë private, i mbështetur nga pasuri publike dhe porosi të financuara me taksat e qytetarëve.
Vendimi i 10 korrikut 2025 për municionet e ilustron këtë ndarje, KAYO do të jepte në përdorim të paktën 20 mijë metra katrorë pasuri publike, ndërsa pjesa e saj në shoqërinë e përbashkët mund të ishte vetëm 20%. Privati merrte përsipër një investim prej të paktën 60 milionë eurosh brenda tre vjetësh.
Pra, shumica e pronësisë i kalonte privatit që në themelim, ndërsa investimi që mbështeste marrëveshjen do të realizohej gradualisht. Në emër të industrisë shtetërore, u ngritën biznese me shumicë private dhe me shtetin në rolin e ortakut, kontribuuesit të pasurive dhe klientit.
Katër kompanitë dhe dy degët private
Rrjeti kryesor përbëhet nga katër kompani.
Timak Defence u krijua për prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve dhe pajisjeve të specializuara, përfshirë mjete për ushtrinë dhe strukturat e sigurisë. Në këtë kompani, privati TIMAK zotëron 80% të aksioneve, ndërsa shtetërori KAYO 20%.


Lidhja e Ron Yeffet kalon përmes TIMAK-ut, ku ai zotëron 49% të kuotave ndërsa Arjeta Puca 51%.


Advanced Arms Technology u krijua për prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël e të mesëm dhe dronëve ushtarakë, për nevojat e Forcave të Armatosura, strukturave të tjera të sigurisë dhe klientëve vendas apo ndërkombëtarë. Kompania zotërohet 80% nga UNO18 dhe 20% nga KAYO.


Përmes UNO18-s, ortakë në këtë sipërmarrje janë Ron Yeffet dhe Arjeta Puca me nga 50% të aksioneve.


M.K.D u krijua për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, për ushtrinë dhe strukturat e tjera të sigurisë. Pra, fusha e saj është municioni që përdoret nga armët. Partneri privat, MSSC Group në pronësi të Emiljano Dusha, zotëron 80% të aksioneve, ndërsa KAYO 20%.




Guna Tactical u krijua për projektimin, prodhimin dhe tregtimin e uniformave dhe aksesorëve ushtarakë, për Forcat e Armatosura dhe struktura të tjera të sigurisë, si dhe për klientë vendas e të huaj. Fillimisht shteti kishte shumicën me 51%, por pas shitjes së dy pikëve përqindjeje në maj 2026, MSSC Group i Emiljano Dusha zotëron 51% dhe KAYO 49%.


Dy pikë përqindjeje mund të duken pak, por kalimi nga 51% në 49% ka rëndësi për pozicionin e shtetit. Përmbledhja e regjistrit përmend një vlerësim të pavarur për çmimin. Megjithatë, pyetja publike shkon përtej çmimit, pse u hoq dorë nga shumica e aksioneve dhe çfarë të drejtash mbrojti KAYO në marrëveshjen me privatin?
Cinizmi i këtij modeli qëndron te roli i dyfishtë i shtetit, ortak në pakicë kur ndahet pronësia, por klient i rëndësishëm kur duhen paguar faturat.
Nga 490 euro te partneriteti me shtetin
Një nga episodet që tërheq vëmendjen është hyrja e Yeffet në TIMAK. Më 17 qershor 2025, Puca i shiti 49% të kuotave për 49 mijë lekë, rreth 490 euro. Më pak se dy muaj më vonë u krijua Timak Defence, ku TIMAK mori 80%.
Kjo kronologji ngre pyetje për marrëveshjet dhe angazhimet që paraprinë partneritetin. Në një dalje publike, Puca tha se çmimi i shitjes bazohej te vlera e regjistruar e kuotave, jo te vlera reale e kompanisë, dhe se ekzistonte një marrëveshje tjetër për investimin e Yeffet. Ajo e paraqiti partneritetin si mënyrë për rritjen e kompanisë. Pikërisht ajo marrëveshje dhe përmbushja e saj janë thelbësore për të kuptuar transaksionin.
Shuma prej rreth 490 eurosh nuk është investimi i përgjithshëm i privatit dhe as çmimi i blerjes së 80% të Timak Defence. Por kontrasti mes çmimit të deklaruar për hyrjen në TIMAK dhe financimeve publike të mëvonshme kërkon transparencë për atë që partneri privat ka sjellë realisht.
Përmes TIMAK-ut, interesi ekonomik i Yeffet në Timak Defence është 39,2%, ai i Pucës 40,8%, ndërsa shteti ka 20%. Këto raporte tregojnë si ndahet pronësia, marrëveshjet duhet të tregojnë edhe si ndahen rreziku, detyrimet dhe përfitimet.
Kontratat publike dhe rreziku i një tregu të mbyllur
Pikërisht këtu qëndron thelbi i skandalit, përmes partneriteteve me KAYO-n, kontratat shtetërore kalojnë te kompani me shumicë private pa konkurrencë të hapur. Shteti është njëkohësisht ortak dhe klient, ndërsa privatët sigurojnë akses të privilegjuar te fondet publike. Në vend që kompani të ndryshme të konkurrojnë për porositë e ushtrisë, modeli KAYO u krijon subjetevetë sipërpërmendura një treg të garantuar nga shteti pa pasur asnjë garë. Kjo është arsyeja pse mënyra e dhënies së kontratave dhe përqendrimi i furnizimeve janë në qendër të skandalit.
Por edhe pa këtë përfundim, përqendrimi i furnizimeve te një grup i kufizuar kompanish kërkon shpjegim për çmimet dhe mënyrën e përzgjedhjes. Pjesëmarrja e shtetit në pronësi nuk e bën automatikisht çdo blerje të leverdishme për taksapaguesit.
Dy shoqëritë me pjesëmarrje shtetërore në industrinë e mbrojtjes, KAYO dhe Guna Tactical, kanë përfituar deri më tani rreth 1,64 miliardë lekë, ose mbi 17 milionë euro, nga buxheti i shtetit, sipas pagesave të Thesarit të publikuara nga Open Spending Albania. Ndërkohë, qeveria e ka rritur me 108 milionë euro buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke e çuar në 69,2 miliardë lekë, ose mbi 728 milionë euro.
Por rritja e fondeve nuk është shoqëruar me të njëjtën shkallë transparence. Konfidencialiteti i sektorit kufizon informacionin publik, ndërsa përmasat e shpenzimeve e bëjnë edhe më të rëndësishme llogaridhënien për përdorimin e taksave.
Prodhim shqiptar apo modifikim i mjeteve të importuara?
Më 31 korrik 2026, Ministria e Mbrojtjes e paraqiti dorëzimin e 40 mjeteve taktike si sukses të industrisë ushtarake vendase. Por dorëzimi i automjeteve nuk dëshmon, në vetvete, ngritjen e një industrie prodhuese. Mes prodhimit të një mjeti dhe përshtatjes së një automjeti të importuar ka një dallim thelbësor, që prezantimi qeveritar e lë në hije.
Sipas denoncimeve të bëra publike, aktiviteti mbështetet te modifikimi dhe saldimi i mjeteve në një kapanon të përshtatur, ndërsa nuk është treguar nëse eksziston një fabrikë e mirëfilltë prodhimi. Kjo e vendos etiketën “Made in Albania” përballë një mospërputhjeje serioze, puna e kryer në Shqipëri paraqitet si dëshmi e ringritjes së industrisë, pa një pasqyrë të qartë të pjesës që prodhohet realisht në vend.
Modifikimi ka vlerën e vet, por nuk mjafton për të mbështetur gjithë peshën e premtimit qeveritar. Për taksapaguesit, dallimi është ekonomik, fondet publike po financojnë një projekt të shpallur industrial dhe rezultatet duhen matur me kapacitetet e ndërtuara, teknologjinë e instaluar dhe investimet e realizuara. Kur marrëveshjet përfshijnë edhe ambiente apo pasuri shtetërore në përdorim, kontributi publik shkon përtej faturave të paguara.
Ron Yeffet dhe audiot që thelluan skandalin
Yeffet është një biznesmen me origjinë izraelite, i lidhur me aktivitet në SHBA dhe Afrikë; në dokumentet shqiptare figuron si shtetas shqiptar. Emri i tij lidhet me Develop Sénégal Company dhe kontrata publike në Senegal. Në informacionin e publikuar përmendet shqyrtimi i kompanisë nga autoritetet senegaleze, pa u konfirmuar në materialet e shqyrtuara një akuzë penale ndaj tij.
Në SHBA është bërë publike mosmarrëveshja civile me Mark Faist për investime dhe detyrime të pretenduara financiare, si dhe kundërpadia e Yeffet për dëmtim reputacioni. Këto çështje nuk provojnë shkelje në Shqipëri, por e bëjnë të rëndësishme pyetjen se çfarë verifikimi iu bë profilit dhe kapacitetit të tij përpara partneriteteve.
Polemika u thellua në shtator 2026, kur Arben Ahmetaj publikoi audio që ia atribuon Yeffet. Sipas përmbajtjes së bërë publike, diskutohet sigurimi i armëve jashtë vendit, importimi në Shqipëri, ripaketimi si prodhime shqiptare dhe shitja e mëtejshme. Në bisedë përmendet Advanced Arms Technology.
Më 2 tetor u raportua edhe për një tjetër audio mbi biznes armësh në Sudan dhe mundësinë e hapjes së një fabrike atje.
Komunikimet që i atribuohen Ron Yeffet me bashkëbisedues ukrainas, ku diskutohet importimi dhe ripaketimi i armëve si prodhime shqiptare, marrin një peshë tjetër përballë deklaratës së ministrit Ermal Nufi në Parlament se armatimet shqiptare janë shitur dhe përdoren në konflikte jashtë vendit.
Të lexuara së bashku, ato ngrenë dyshimin e rëndë se pas premtimit për ringritjen e industrisë ushtarake mund të fshihet një skemë trafiku armësh përmes Shqipërisë. Nëse kjo lidhje provohet, skandali kapërcen kufijtë e një afere financiare, në lojë hyn besueshmëria e një vendi anëtar të NATO-s, ku një kompani me pjesëmarrje shtetërore dyshohet se është përdorur për të mbuluar origjinën e armatimeve.
Puca ka mohuar akuzat për trafik armësh dhe ka shprehur gatishmëri për verifikim. Hetimi duhet të ballafaqojë pretendimet dhe shpjegimet me dokumentet, si dhe të verifikojë autenticitetin dhe kontekstin e audiove.
Megjithatë, kontrollet e SPAK shënojnë kalimin drejt mbledhjes së provave materiale. Kontratat, pagesat, licencat dhe dokumentet e import-eksportit mund të tregojnë çfarë është realizuar dhe kush ka marrë vendimet.
Sepse, kontrasti është i qartë, shteti premtoi ringritjen e industrisë ushtarake, por në kompanitë e përbashkëta mbeti aksionar në pakicë dhe klient që paguan. Privatët morën shumicën e aksioneve, drejtuesve iu parashikuan paga të larta, ndërsa qytetarëve iu prezantua krenaria “Made in Albania”. Për krenarinë pati ceremoni, për leverdinë e taksapaguesve, bilanci mbetet i paqartë.
KAYO u prezantua si projekti që do t’i kthente Shqipërisë aftësinë për të prodhuar armë. Sot, mes kontratave të debatueshme dhe audiove, pikëpyetja është nëse po ndërtohej një industri apo po u sigurohej biznesmenëve nën hetim kontroll të plotë mbi furnizimet e ushtrisë, me shtetin si klient të garantuar dhe taksapaguesit si financues.






















