
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pas një vale të re sulmesh amerikane ndaj objektivave të lidhura me regjimin iranian.
Sipas autoriteteve amerikane, operacioni ka goditur rreth 80 objektiva iraniane. Megjithatë, portali “Axios” raportoi se përmasat reale të sulmeve kanë qenë rreth pesë herë më të mëdha, si në shtrirje ashtu edhe në intensitet, krahasuar me operacionet e zhvilluara në fund të muajit qershor.
Në kundërpërgjigje, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (Pasdaran) njoftoi se ka sulmuar instalacione ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Autoritetet iraniane akuzuan Uashingtonin për shkeljen e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.
Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, paralajmëroi se operacionet ushtarake mund të vijojnë edhe në orët në vijim.
“ Ndoshta do t’i godasim përsëri me forcë në orët e ardhshme”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, një burim i sigurisë iraniane paralajmëroi se Teherani mund të ndërmarrë masa të ashpra, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, nëse Shtetet e Bashkuara vijojnë sulmet. Kjo rrugë ujore është një nga pikat më strategjike të transportit global të naftës.
Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi përmes platformës X, duke deklaruar se “epoka e bullizmit dhe shantazhit ka marrë fund” dhe se Irani nuk do të dorëzohet përballë presionit amerikan.
Përshkallëzimi ushtarak ka dhënë efekt edhe në ekonominë globale. Tregjet evropiane kanë regjistruar rënie, ndërsa çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, me naftën Brent që është afruar pranë nivelit të 80 dollarëve për fuçi, për shkak të frikës se një bllokim i Ngushticës së Hormuzit mund të ndikojë furnizimet ndërkombëtare me energji.






















