
Të paktën 55 eurodeputetë i kanë kërkuar federatave evropiane të futbollit që të kërkojnë një hetim zyrtar për vendimin që çoi në shtyrjen e pezullimit të sulmuesit Folarin Balogun, duke i mundësuar atij të luante në ndeshjen e 1/8-ave të Kupës së Botës ndaj Belgjikës.
Në një letër drejtuar presidentëve të federatave të futbollit të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, eurodeputetët kërkojnë që FIFA të verifikojë nëse presidenti i saj, Gianni Infantino, ka pasur ndikim në këtë vendim, si dhe nëse ka pasur ndërhyrje apo presion nga Shtetet e Bashkuara gjatë procesit të vendimmarrjes.
“Ka ardhur koha që federatat evropiane të futbollit, si anëtare të FIFA-s, të kërkojnë një hetim të plotë mbi procesin e vendimmarrjes”, thuhet në letrën e firmosur nga eurodeputetët.
Nisma është ndërmarrë nga eurodeputetët Lara Wolters nga Holanda, Niels Fuglsang nga Danimarka dhe Barry Andrews nga Irlanda, ndërsa deri tani është mbështetur nga dhjetëra anëtarë të Parlamentit Evropian.
Në dokument theksohet se rregullat e FIFA-s kërkojnë neutralitet të plotë politik dhe parashikojnë masa ndëshkuese në rast të shkeljes së këtyre parimeve.
Eurodeputetët argumentojnë se federatat kombëtare kanë përgjegjësi për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga drejtuesit e FIFA-s, nëse ekzistojnë dyshime për ndikime të jashtme në vendimmarrje.
Sipas tyre, çdo vendim i marrë nën ndikimin e faktorëve politikë apo interesave të jashtme do të përbënte një shkelje të rëndë të detyrimeve etike dhe institucionale të organizatës.
Kërkesa pritet të shtojë presionin ndaj FIFA-s, e cila deri më tani nuk ka dhënë një reagim publik për këtë çështje.






















