
Kompania “Salillari” është gjobitur nga Dogana e Durrësit me një detyrim total prej rreth 5.1 milionë eurosh, pas konstatimit të shkeljeve në procedurat e importimit të karburantit për ndërtimin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë. Sipas vendimit nr. 626 të autoriteteve doganore, kompania kishte importuar mbi 1.32 milionë kilogramë naftë duke përfituar nga regjimi i përjashtimit tatimor për projektet e NATO-s, por pa dokumentacionin e nevojshëm për këtë sasi.
Nga kontrollet e kryera në Porto Romano dhe verifikimet në sistemin doganor ASYCUDA, rezultoi se kompania nuk kishte paraqitur autorizimin specifik të Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA) për përjashtimin nga detyrimet fiskale. Për këtë arsye, Dogana ka përllogaritur 156 milionë lekë detyrime të papaguara, ku përfshihen akciza, TVSH-ja, taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit. Për shkeljen administrative të klasifikuar si neglizhencë, kompanisë i është vendosur edhe një gjobë prej 312 milionë lekësh, duke e çuar faturën totale në 468 milionë lekë.
Përfaqësuesit e kompanisë “Salillari” kanë kundërshtuar vendimin, duke refuzuar nënshkrimin e procesverbalit dhe duke argumentuar se importet mbuloheshin nga marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe NATO-s. Megjithatë, autoritetet doganore nuk e kanë pranuar këtë pretendim, duke lënë në fuqi detyrimin financiar. Rasti lidhet me një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës ushtarake në vend, Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila u inaugurua në mars të vitit 2024.























