
Një 43-vjeçar shqiptar, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për një vrasje të dyfishtë në Greqi, është arrestuar në Athinë pas gjashtë vitesh në arrati. Ai u lokalizua në zonën e Patisias, ku dyshohet se qëndronte i fshehur në një apartament, duke shmangur daljet në ambiente publike për të mos rënë në gjurmët e autoriteteve.
Sipas mediave greke, arrestimi u realizua nga Departamenti i Vrasjeve i Drejtorisë së Krimit të Organizuar, me mbështetjen e forcave speciale EKAM. Policia kishte siguruar informacione për vendndodhjen e tij rreth 15 ditë më parë dhe kishte mbajtur nën vëzhgim banesën përpara ndërhyrjes. Gjatë kontrollit u sekuestrua edhe një pistoletë, e cila është dërguar për ekspertim balistik për të përcaktuar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
43-vjeçari ishte dënuar për vrasjen e dy personave në tetor të vitit 2020, në Lutraqi të Greqisë. Viktimat ishin ish-partnerja e tij, një grua me origjinë ukrainase, dhe partneri i saj, i cili punonte si farmacist. Sipas hetimeve, krimi ishte kryer me sëpatë, ndërsa shqiptari, pavarësisht vendimit gjyqësor, vijon të mohojë përfshirjen në ngjarje.
Detaje të tjera kanë dalë gjatë marrjes së tij në pyetje. Sipas raportimeve të mediave greke, 43-vjeçari ka deklaruar se më parë kishte shërbyer si oficer policie në Shqipëri. Ai dyshohet se ka pranuar edhe kryerjen e dy vrasjeve të tjera në vendin tonë, përpara vitit 2002, të cilat pretendon se i kishte realizuar gjithashtu me sëpatë.
Për këto krime, sipas të njëjtave burime, shqiptari ishte dënuar me 22 vite burg, ndërsa veprat raportohet se tashmë janë parashkruar.
Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë mundësinë e përfshirjes së tij në ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vrasje të dyshuara me pagesë. Ekspertimi i armës së sekuestruar dhe verifikimi i të dhënave të mbledhura pritet të ndihmojnë hetuesit për të përcaktuar nëse 43-vjeçari ka lidhje me krime të tjera të pazbardhura.






















