
Një qytetar që po protestonte sot para Kryeministrisë u godit nga disa protestues të tjerë, mbështetës të Partisë Demokratike. Përplasja nisi pasi ai thirri “Rama në burg, Berisha në burg”.
Mjaftoi që pas emrit të Ramës të përmendej edhe ai i Berishës. Pikërisht këtu vihet në provë mbështetja që PD-ja thotë se u jep studentëve. Prej muajsh, ata kërkojnë largimin e Ramës dhe të Berishës, ndërsa PD-ja i fton në protestë me synimin për të rrëzuar Ramën dhe për të marrë pushtetin.
Studentët e kanë bërë të qartë se nuk e duan Partinë Demokratike në shesh me ta. Kërkesa e tyre shkon përtej ndërrimit të qeverisë. Ata kërkojnë ndryshimin e sistemit politik, ku PD-ja ka qenë pjesë e pushtetit dhe sot kërkon të rikthehet.
Përplasja para Kryeministrisë e bën edhe më të mprehtë pyetjen për qëllimin e PD-së. Po u bashkohet studentëve për të mbështetur kërkesat e tyre, apo po përpiqet ta marrë protestën në dorë dhe t’ia ndryshojë drejtimin?






















