
Ka nisur këtë të shtunë protesta kombëtare e studentëve në Tiranë, të cilët janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestës i janë bashkuar edhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët fillimisht ishin grumbulluar përpara Kryeministrisë.
Studentët kanë nisur tubimin në orën 14:00, duke lëshuar thirrje kundër qeverisë dhe duke brohoritur “Shqipëria e shqiptarëve”. Protesta organizohet nga grupimi “Studentët n'protestë”, i cili prej më shumë se 150 ditësh vijon aksionin me kërkesën për largimin e Ramës nga pushteti.
Ndërkohë, pas rreth një ore qëndrimi përpara Kryeministrisë, mbështetësit e Partisë Demokratike kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit për t'iu bashkuar tubimit studentor.
Gjatë marshimit, protestuesit opozitarë kanë brohoritur “Jemi me studentët”, duke shprehur solidaritetin me të rinjtë dhe mbështetjen për kërkesat e tyre.
Studentët dhe mbështetësit e opozitës kanë si kërkesë të përbashkët dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë protestës janë dëgjuar edhe thirrje kundër qeverisë.






















