Helion Terlaci
Në Ballkan, pushteti ka një prirje të vjetër për ta shpallur veten të pazëvendësueshëm. Udhëheqësit ndërrojnë, por refreni mbetet: pa ta, shteti humbet drejtimin, reformat ngecin dhe e ardhmja rrezikohet. Në Shqipëri, edhe integrimi europian është përfshirë në këtë retorikë, ku një aspiratë historike kombëtare shndërrohet në kapital politik personal. Paradoksi është se kjo logjikë mohon vetë thelbin e demokratizimit: institucione më të forta se individët, pushtet të kufizuar dhe udhëheqës të zëvendësueshëm.
Krahasimi me Malin e Zi është domethënës. Që nga viti 2013, Podgorica ka ndërruar pesë kryeministra, ndërsa Tirana vetëm një: Edi Ramën. Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj negociues me BE-në, Shqipëria katër. Sigurisht, Podgorica i nisi negociatat dhjetë vjet më herët, ndaj shifrat nuk provojnë epërsi demokratike. Por ato ilustrojnë se vazhdimësia strategjike e shtetit nuk kërkon vazhdimësinë politike të një njeriu.
Mali i Zi ka kaluar sprova madhore: fundin e tri dekadave të dominimit të Gjukanoviçit, përplasje identitare e fetare, tensione ndërmjet orientimit euroatlantik dhe ndikimeve serbe e ruse, si dhe kriza të njëpasnjëshme qeveritare. Konfliktet nuk janë zhdukur, por kursi europian është ruajtur. Projekti strategjik ka rezultuar më jetëgjatë se pushtetarët që pretendonin ta mishëronin.
Ironia historike bëhet therëse në gushtin e vitit 2020. Në një pjesë të diskursit proqeveritar shqiptar, jetëgjatësia politike e Gjukanoviçit admirohej si model stabiliteti dhe efikasiteti. Shqipërisë, sipas kësaj logjike, i duhej një udhëheqës i fortë, një Gjukanoviç shqiptar, që të garantonte reformat dhe zhvillimin, qoftë edhe përmes përqendrimit afatgjatë të pushtetit. Vetë Rama e mishëroi simbolikisht këtë afërsi kur, më 26 gusht 2020, mbështeti publikisht Gjukanoviçin në fushatën zgjedhore malazeze, duke e përmbyllur videomesazhin me fjalët: “Hvala, dragi Milo, što postojiš!”, faleminderit, i dashur Milo, që ekziston!
Katër ditë më vonë, partia e Gjukanoviçit humbi shumicën parlamentare. Mali i Zi vazhdoi të ekzistonte, qeveritë ndryshuan dhe integrimi europian përparoi. Historia ofroi një kundërargument ndaj mitit të udhëheqësit të pazëvendësueshëm: shteti nuk përfundon aty ku përfundon pushteti i njeriut që pretendon ta mishërojë.
Por përparimi i Shqipërisë ka edhe një shpjegim që propaganda politike parapëlqen ta lërë në hije: gjeopolitikën. Pas pushtimit rus të Ukrainës, zgjerimi u rikthye në qendër të strategjisë europiane. Presioni rus, konkurrenca globale dhe pasiguria transatlantike e shtynë Brukselin të kërkojë më shumë ndikim, siguri dhe autonomi strategjike. Zgjerimi është tashmë edhe investim në fuqinë gjeopolitike të vetë Bashkimit.
Shqipëria përfiton nga ky kontekst. Anëtare e NATO-s, e përputhur me politikën e jashtme europiane dhe pa mosmarrëveshje madhore dypalëshe që bllokojnë negociatat, ajo është partnere relativisht e pranueshme për shtetet anëtare. Aspirata shqiptare për anëtarësim përputhet me interesin e BE-së për të dëshmuar rëndësinë e vet strategjike. Asnjë kryeministër shqiptar nuk e ka krijuar këtë kontekst. Mund të përfitojë prej tij, por nuk mund ta përvetësojë si meritë personale.
Këtu lind paradoksi shqiptar: përshpejtimi i negociatave paraqitet si certifikatë suksesi e qeverisjes, ndërkohë që hetimet për korrupsion në nivelet më të larta, lidhjet e dyshuara klienteliste, përqendrimi i pushtetit dhe dobësia e kontrollit parlamentar ngrenë pyetje mbi cilësinë e demokracisë. Çfarë po integrojmë realisht në Europë: një shtet që demokratizohet, apo një sistem pushteti që kërkon legjitimitet ndërkombëtar përmes urgjencës gjeopolitike të Brukselit?
Harmonizimi i ligjeve nuk është domosdoshmërisht sundim i ligjit. Mbyllja e kapitujve nuk është certifikatë virtyti demokratik. Integrimi europian nuk mund të shërbejë si argument për ta trajtuar alternimin politik si rrezik kombëtar. Përndryshe, procesi që duhet të kufizojë pushtetin përdoret për të justifikuar përqendrimin e tij.
Mali i Zi vazhdon të përballet me korrupsion dhe polarizim, por përvoja e tij tregon se orientimi europian mund t'u mbijetojë krizave, alternimit demokratik dhe largimit të një udhëheqësi që ka dominuar politikën për dekada.
Bashkimi Europian nuk anëtarëson kryeministra, por shtete. Suksesi i një udhëheqësi nuk matet me aftësinë për ta bindur kombin se pa të nuk ka Europë, por me institucionet që lë pas. Sepse nëse rruga drejt demokracisë kërkon një udhëheqës të pazëvendësueshëm, problemi nuk është sa larg ndodhet Europa, por sa pak është kuptuar demokracia.
Për fatkeqësinë tonë, ende sot, në studiot televizive, opinionistë që hedhin stërkala pështyme në mbrojtje të pushtetit vazhdojnë të shtrojnë me patos pyetjen: “Po iku Rama, kush do të vijë?”
Sikur demokracia të ishte arti i gjetjes së një udhëheqësi të pazëvendësueshëm, dhe jo e drejta e qytetarëve për ta zëvendësuar atë.






















