
Dy vëllezër kanë përfunduar në prangat e Policisë së Shkodrës, ndërsa djali i njërit prej tyre është shpallur në kërkim, pas një operacioni antidrogë që çoi në sekuestrimin e rreth 77 kilogramëve kanabis, armëve dhe municioneve.
Operacioni i koduar “Polinomi 2” u finalizua pas katër muajsh hetime nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Sipas policisë, tre personat dyshohet se janë pjesëtarë të grupit kriminal të goditur disa ditë më parë gjatë operacionit “Polinomi”.
Në pranga ranë Gj. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe vëllai i tij K. Sh., 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, në kërkim u shpall K. Sh., 24 vjeç, djali i 57-vjeçarit.
Gjatë kontrolleve në banesën e 49-vjeçarit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Ndërsa në banesën e vëllait të tij 57-vjeçar u zbuluan edhe 66.8 kilogramë kanabis, të ndara në thasë, një pistoletë me fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak dhe municion për armë gjahu.
Policia sekuestroi gjithashtu aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, mes tyre dy kamera dhe një monokular.
Hetuesit po vijojnë punën për kapjen e 24-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, si dhe për zbardhjen e lidhjeve të personave të arrestuar me grupin e goditur gjatë operacionit të mëparshëm.






















