
Protesta kundër qeverisë ka vijuar këtë të shtunë në Tiranë, ku qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit për t'iu bashkuar studentëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë përshkuar Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar largimin e Ramës nga drejtimi i vendit. Gjatë marshimit janë dëgjuar parulla si “Qeveri e krimit”, “Ju erdhi fundi” dhe “Jepni dorëheqjen”.
Në shënjestër të thirrjeve të protestuesve ka qenë edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për të cilën është kërkuar arrestimi, ashtu si edhe për kreun e qeverisë.
Marshimi i mbështetësve të opozitës synon bashkimin me tubimin e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit, duke i dhënë protestës një pjesëmarrje më të gjerë përtej komunitetit universitar.
Protesta e kësaj të shtune është pjesë e vijimësisë së tubimeve kundër qeverisë, ku kërkesat e studentëve për çështjet e arsimit janë shoqëruar edhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike.
Pavarësisht përbërjes së ndryshme të pjesëmarrësve, kërkesa që i bashkon protestuesit mbetet largimi i Edi Ramës nga pushteti.






















