Kronika 7 November 2026, 13:53 Nga VNA

Del akt-ekspertiza për shpërthimin në pallatin e Elbasanit: Soleta e katit të pestë rrezikon të shembet në çdo moment

Ndaje në Whatsapp

Del akt-ekspertiza për shpërthimin në pallatin e Elbasanit:

Shpërthimi që u mori jetën dy personave në Elbasan ka lënë pas jo vetëm apartamente të shkatërruara, por edhe një pallat që tashmë përbën rrezik për banorët dhe këdo që i afrohet. Raporti paraprak i Institutit të Ndërtimit ka nxjerrë në pah dëmtime serioze në strukturën e godinës, duke ngritur alarmin për shembjen e mundshme të pjesëve të saj.

Sipas vlerësimit të inxhinierëve, gjendja më shqetësuese paraqitet në katin e pestë, ku soleta mbi zonën e shpërthimit rrezikon të shembet në çdo moment. Forca e shpërthimit dhe zjarri që pasoi kanë dëmtuar rëndë elementet mbajtëse dhe pjesë të tjera të ndërtesës, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e saj.

Përballë kësaj situate, ekspertët kanë kërkuar që pallati të mos përdoret dhe hyrja në të të kufizohet deri në përfundimin e ekspertizës së thelluar. Rreziku nuk kufizohet vetëm brenda apartamenteve të dëmtuara, pasi edhe personat që qëndrojnë pranë ndërtesës mund të ekspozohen ndaj rënies së materialeve dhe elementeve të konstruksionit.

Instituti i Ndërtimit ka rekomanduar krijimin e një perimetri sigurie prej 20 deri në 30 metrash rreth pallatit, si dhe marrjen e masave për të parandaluar shembjen e pjesëve të dëmtuara.

Pamjet e publikuara nga brendësia e godinës tregojnë përmasat e shkatërrimit. Mure të rrëzuara, xhama të thyer, mbetje betoni dhe apartamente të shkrumbuara nga flakët dëshmojnë forcën e shpërthimit që goditi ndërtesën pesëkatëshe.

Tragjedia ndodhi më 4 nëntor, kur një shpërthim, që dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit në një apartament të katit të tretë, u pasua nga një zjarr i fuqishëm. Dy persona humbën jetën, ndërsa dhjetë banorë të tjerë morën ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, 15 familje mbetën pa strehë. Bashkia e Elbasanit nisi procedurat për bonusin e qirasë, ndërsa një pjesë e banorëve u sistemuan përkohësisht në konviktin e qytetit.

Ndërkohë, specialistët po vijojnë analizat e materialeve dhe testimet e strukturës për të përcaktuar nëse ndërtesa mund të riparohet pjesërisht apo do të jetë e nevojshme shembja e saj.

Për familjet e prekura, pasiguria vazhdon edhe pas shuarjes së flakëve. Përveç humbjeve njerëzore dhe dëmeve materiale, ato përballen tashmë me pikëpyetjen se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre dhe nëse pallati do të mund të qëndrojë ende në këmbë.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme