Opinion 6 November 2026, 19:04 Nga VNA

Eurot e drogës kanë faj, Banka e Shqipërisë jo! Dy standardet e Berishës për zhvlerësimin e euros

Ndaje në Whatsapp
Eurot e drogës kanë faj, Banka e Shqipërisë jo! Dy

Nuk është më sekret që euro po shkon tatëpjetë dhe kjo rëndon në xhepat e shqiptarëve. Por, si çdo gjë tjetër në këtë vend, edhe rënia e monedhës europiane është e lidhur ngushtësisht me politikën, e cila, nga të dyja krahët, e gjen problemin kudo, por jo te Banka e Shqipërisë. Le t’i marrim me radhë faktet.

Në periudhën 2021-2025 euro është zhvlerësuar 21% dhe pothuaj 4% të tjera në nivel vjetor në 2026 (përafërsisht 25%). Kjo do të thotë se për çdo pasuri të vënë në euro (depozitë, banesë, art etj.) të blerë, po themi, në 2020, sot vlen 25% më pak e shprehur në lekë – kur gjithë kushtet e tjera i mendojmë se nuk kanë ndryshuar.

Meqenëse dhe një pjesë e njësive që eksportojnë në vend ndikohen negativisht pasi të ardhurat e tyre në euro bien (sigurisht jo në masën 25%) apo njësitë që shfrytëzojnë kostot e ulëta në vend (psh të krahut të punës) e për rrjedhojë pësojnë rritjen e kostove në lekë, zhvlerësimi i euros mbetet një element për të cilin debatohet mjaft.

Por ky debat zbriti dhe në konferencën për shtyp ditën e premte, datë 6 nëntor. Megjithëse PD ka disa nga fusha e ekonomisë, grafikun dhe debatin e mori përsipër vetë kryetari i partisë për të shpallur se euro zhvlerësohet si pasojë e pastrimit të parave dhe për të mbrojtur ndërhyrjet në tregun valutor të Bankës së Shqipërisë si nga halli për të mbrojtur euron nga këto para të pista.

Prononcimi duket që është formuluar në format qoke sepse përmban disa kontradikta:

Banka e Shqipërisë ka shpallur se ka faktorë strukturorë që kanë çuar në zhvlerësimin e euros, të cilët lidhen me rritjen e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja direkte dhe përmirësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, ndërhyrjet në tregun valutor nuk synojnë mbajtjen e kursit në një nivel të caktuar, por zbutjen e shpejtësisë së forcimit të tij, në funksion të reduktimit të rreziqeve që luhatjet e larta të kursit në tregun valutor mund të kenë mbi stabilitetin monetar e financiar dhe në funksion të ankorimit më të mirë të pritjeve inflacioniste.

Pra, Banka e Shqipërisë nuk deklaron që ka hyrje valute në vend me origjinë joformale që ta kenë zhvlerësuar euron dhe ka ndërhyrë për të modifikuar shpejtësinë e zhvlerësimit të euros.

Nëse sipas PD, dhe që mund të jetë fare mirë e vërtetë, euro zhvlerësohet për shkak të eurove të drogës, kjo sasi parash konsiderohet para e pistë dhe e paligjshme. Në këtë rast Banka e Shqipërisë jo ka bërë gabim që ka ndërhyrë, por ka bërë faj sepse po pastron euron e drogës (duke e tërhequr nga tregu) dhe po e lehtëson qarkullimin e saj (duke e mbajtur ende me çmim / vlerë tërheqëse, në vend që të lejojë të bëhet monedhë e pavlefshme).

Përsëri, nëse janë para droge, Banka e Shqipërisë ka përgjegjësi sepse është autoritet mbikëqyrës për sistemin financiar dhe një pjesë e kësaj paraje qarkullon në këto kanale. Kjo do të thotë që nuk e ka bërë me rigorozitet detyrën e vet mbikëqyrëse.

Pra, për të qenë të besueshme deklaratat duhet të jenë serioze dhe të mbajnë një standard arsyetimi. Ose euro është zhvlerësuar për shkak të eurove të drogës dhe Banka e Shqipërisë në këtë rast ka vepruar gabim që ka ndërhyrë, pasi po ia mundëson narkoshtetit të mbajë në lojë eurot e pista. Ose euro është zhvlerësuar për arsye të tjera (kuptohet ndikim mund të kenë dhe paratë e pista) dhe prandaj Banka e Shqipërisë nuk ka bërë gabim që ka ndërhyrë për të zbutur shpejtësinë e zhvlerësimit të euros. PD do të ishte më serioze nëse në këtë aspekt do të ushtronte presion për të rritur transparencën për analizat që ka bërë Banka e Shqipërisë që arrin në konkluzionet e mësipërme dhe t’i sfidojë ato analiza nëse nuk i duken të mbështetura.

Por që të ndodhë kjo nevojitet që edhe kjo Parti të veprojë në kushte të mungesës së konfliktit të interesit me Bankën e Shqipërisë dhe aneksin e saj Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Sa kohë kjo nuk ndodh, deklaratat do të kenë nga dy standarde dhe do të jenë deklarata qokash.

Sepse në fund, politika shqiptare duket se ka gjetur formulën perfekte: eurot e drogës kanë faj për gjithçka, ndërsa Banka e Shqipërisë nuk ka përgjegjësi për asgjë. Dhe kur opozita denoncon paratë e pista, por gjen justifikime për institucionin që duhet të mbikëqyrë sistemin financiar, pyetja nuk është më vetëm pse po bie euro, por edhe çfarë e pengon PD-në të kërkojë llogari atje ku duhet. Deri atëherë, shqiptarët paguajnë faturën, ndërsa politika vazhdon të bëjë qoka.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme