Kronika 7 November 2026, 11:28 Nga VNA

Tenderi i Unazës së Madhe dhe vila luksoze e Ballukut në Palasë, SPAK dyshon se punimet u financuan si shpërblim për Lotin 7

Ndaje në Whatsapp

Tenderi i Unazës së Madhe dhe vila luksoze e Ballukut në

Hetimet e SPAK për pasuritë që dyshohet se lidhen me Belinda Ballukun kanë nxjerrë në dritë detaje të reja mbi investimet në një vilë luksoze në Palasë dhe lidhjet e tyre të mundshme me tenderat publikë. Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka publikuar të dhëna nga dosja hetimore, sipas së cilës biznesmeni Arbër Abazi, i lidhur me kompaninë “Alko Impex General Construction”, dyshohet se ka financuar punime në vilën që prokurorët ia atribuojnë ish-zëvendëskryeministres. Kompania në fjalë ka qenë pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Sipas dokumenteve të administruara nga SPAK, vila me numër 188/1 në kompleksin “Green Coast” ishte blerë fillimisht nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare, për 250 mijë euro. Tare kishte financuar ndërtimin deri në fazën e karabinasë, ndërsa punimet e mëtejshme, përfshirë ndërhyrjet strukturore dhe ndërtimin e pishinës, rezultojnë të jenë marrë përsipër nga Arbër Abazi. Ky i fundit është djali i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe bashkëjetuesi i Lorela Reçit, vajzës së tezes së Ballukut.

Pikërisht Lorela Reçi rezulton të ketë pasur një rol në ndjekjen e punimeve. Sipas komunikimeve elektronike dhe dokumenteve të përfshira në dosje, ajo ishte autorizuar të komunikonte me arkitektët dhe kompanitë ndërtuese, të ndiqte ndërhyrjet në vilë dhe të mbikëqyrte ndryshimet në projekt. Në dokumentacion përmenden edhe kërkesa për elemente luksoze, përfshirë pishinën dhe xhakuzin.

Një nga elementet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është vlera e investimeve të kryera në pronë. Sipas dokumenteve të publikuara nga emisioni “Në Shënjestër”, preventivat e punimeve varionin nga rreth 288 mijë deri në mbi 410 mijë euro. Në dosje janë evidentuar gjithashtu fatura të lëshuara në emër të kompanisë “Alko Impex General Construction”, duke ngritur dyshime mbi burimin e financimit dhe arsyet përse një kompani përfituese e kontratave publike do të mbulonte shpenzime për një pronë të lidhur me një zyrtare të lartë.

Pikërisht këtu përqendrohet edhe dyshimi kryesor i SPAK. Prokurorët po hetojnë nëse investimet në vilën e Palasës kanë qenë një formë shpërblimi për favorizimin e kompanisë në tenderin e Lotit 7 të Unazës së Madhe. Në këtë kuadër po shqyrtohen lidhjet mes vendimmarrjes së Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, përfitimit të kontratave publike dhe shpenzimeve të kryera në vilë.

Çështja merr përmasa të tjera për shkak të lidhjeve familjare dhe financiare të personave të përfshirë në dokumentacion. Arbër Abazi, përmes kompanisë së tij, rezulton i lidhur me një kontratë të rëndësishme publike, ndërsa bashkëjetuesja e tij, Lorela Reçi, sipas dosjes, kishte rol në administrimin e punimeve të vilës. Këto rrethana janë pjesë e verifikimeve të prokurorëve për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje mes investimeve private dhe tenderit të fituar.

Të dhënat e publikuara nga emisioni “Në Shënjestër” ngrenë pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes biznesit dhe zyrtarëve të lartë që kanë përgjegjësi në administrimin e fondeve publike. Në qendër të hetimit nuk është vetëm financimi i një vile luksoze, por dyshimi nëse paratë e përfituara nga kontratat shtetërore janë përdorur për të siguruar favore apo përfitime private.

SPAK vijon hetimet për të dokumentuar burimin e financimit të punimeve, pronësinë reale të vilës dhe lidhjen e mundshme me procedurat e prokurimit publik. Dyshimet e ngritura mbeten për t’u provuar gjatë procesit penal.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme