Politika 11 August 2026, 12:59 Nga VNA

Nuk është meme është Edi Rama: Shqipëria nr. 1 për sigurinë kibernetike

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-11 at 1.18.20 PM.jpeg

Ka një ironi të rrallë të shpallësh Shqipërinë vendin më të sigurt kibernetikisht në botë, në një kohë kur shqiptarët kanë pasur luksin e dyshimtë të shohin të dhënat e tyre personale të qarkullojnë publikisht.

Por këtë të martë Edi Rama ka një lajm që vetë e quan “të pabesueshëm, po 100% të vërtetë”: Shqipëria është ngjitur në vendin e parë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë.

Renditja është e vërtetë. Vetëm se nuk thotë atë që thotë Rama.

National Cyber Security Index nuk mat sa të sigurta janë realisht të dhënat e shqiptarëve, sa mirë janë mbrojtur databazat apo sa informacion personal ka dalë nga sistemet që duhet ta ruanin.

Ai mat kryesisht gatishmërinë e shtetit për sigurinë kibernetike: nëse ka ligjet, strategjinë kombëtare, institucionet përgjegjëse, strukturat për përballimin e incidenteve, mekanizmat e koordinimit dhe kapacitetet e nevojshme.

Në këtë provim Shqipëria ka shkëlqyer.

Pra, kemi ligjet. Kemi strategjinë. Kemi institucionet. Kemi planet. Kemi strukturat. Dhe tani kemi edhe 98.33 pikët.

Ajo që NCSI nuk pyet është më banalja: po të dhënat, i ruajtët?

Sepse po ta bënte këtë pyetje, përgjigjen nuk do të duhej ta jepte qeveria. E dinë shqiptarët, të cilët ndër vite kanë parë të qarkullojnë databaza me paga, numra telefoni, targa dhe të dhëna të tjera personale.

Kjo është pikërisht diferenca që humbet në postimin triumfalist të kryeministrit.

Në të njëjtën faqe ku Shqipëria renditet e para në NCSI, ajo figuron Tier 2 në Global Cybersecurity Index të ITU-së dhe shumë më poshtë në Network Readiness Index. Janë indekse me metodologji të ndryshme, sepse siguria dhe zhvillimi digjital nuk maten me një tabelë të vetme.

Kështu që vendi i parë në NCSI është një rezultat për t’u shënuar. Por ta përkthesh atë si provë se Shqipëria është “e para në botë për sigurinë kibernetike” është një histori tjetër.

NCSI tregon se shteti shqiptar ka ngritur në letër dhe në institucione një arkitekturë pothuajse të plotë për mbrojtjen kibernetike.

Se si funksionon ajo kur vjen puna te mbrojtja e të dhënave tona, këtë indeks nuk e mat. Këtë, për fat të keq, e kemi matur vetë.

Video

Tërmeti i fuqishëm 7.4 ballë në Kolumbi ka shkaktuar panik edhe në Aeroportin e Pereira-s, ku një Airbus A320 u trondit fuqishëm në pistë për 46 sekonda përpara se të ngrihej pa pasoja. Pavarësisht kësaj, pasojat në qytet janë tragjike: shembja e çatisë së terminalit i mori jetën 3 personave, ndërsa bilanci i përgjithshëm në Pereira ka arritur në 66 viktimë nga shembja e dhjetëra ndërtesave.

Një festim goli u kthye në një moment të frikshëm për futbollistin brazilian Jacy Maranhão, gjatë ndeshjes mes Coritiba dhe Chapecoense në kampionatin brazilian. Mbrojtësi 29-vjeçar shënoi një gol në pjesën e parë dhe, në entuziazëm, vrapoi drejt tifozëve për ta festuar. Ai kapërceu barrierat reklamuese, por përfundoi duke rënë në një tunel të hapur që çonte drejt dhomave të zhveshjes së skuadrës kundërshtare. Maranhão u ngrit nga tuneli me ndihmën e stafit, por pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës dhe u zëvendësua në pjesën e dytë. Ironia më e madhe ishte se goli që ai po festonte u anulua më vonë nga VAR-i për shkak të një faulli në aksion.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e fuqishme të shkaktuara nga tajfuni “Dolphin” kanë shkaktuar situata të rrezikshme në provincën Zhejiang të Kinës. Një kamion u përmbys në një parkim si pasojë e erërave të forta. Pamjet e filmuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur mjeti ngrihet nga toka dhe përmbyset nga fuqia e erës. Tajfuni “Dolphin” solli paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona. Sipas raportimeve, ai është cikloni tropikal më i fuqishëm që ka goditur Kinën këtë vit.

Një avion privat i tipit Hawker Beechcraft 400A është përplasur me një automjet shërbimi në aeroportin Milano-Linate, në Itali. Përplasja nuk shkaktoi të lënduar. Ngjarja solli disa vonesa në operimet e aeroportit, të cilat po rikthehen gradualisht në normalitet. Dy fluturime që po mbërrinin në Linate u devijuan drejt aeroporteve Orio al Serio dhe Milano-Malpensa.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme