Një gjykatë në Damask ka dënuar me vdekje në mungesë ish-presidentin sirian Bashar al-Assad dhe vëllain e tij më të vogël, Maher al-Assad, për krime të lidhura me shtypjen e protestave dhe konfliktin shumëvjeçar në Siri.
Vendimi u dha të martën, ndërsa dy vëllezërit ndodhen jashtë Sirisë. Bashar al-Assad u largua drejt Rusisë në dhjetor të vitit 2024, pas rënies së regjimit të tij dhe hyrjes së forcave rebele në Damask.
Në të njëjtën çështje, me vdekje u dënua edhe Atef Najib, kushëriri i Bashar al-Assad dhe ish-kreu i Sigurisë Politike në provincën jugore të Daraa-s. Ndryshe nga Bashar dhe Maher al-Assad, Najib ndodhej fizikisht në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit.
Nën masa të rrepta sigurie, ish-zyrtari i lartë i regjimit u paraqit në sallën e gjyqit me uniformën e të burgosurit, ndërsa gjykatësi lexoi vendimin.
Najib konsiderohet një nga figurat kryesore të lidhura me ngjarjet e Daraa-s në vitin 2011, aty ku shpërthyen protestat që më pas u përhapën në të gjithë Sirinë. Në atë periudhë ai drejtonte degën lokale të Sigurisë Politike dhe është akuzuar për përgjegjësi në shtypjen e protestuesve, arrestime, tortura dhe vrasje.
Ngjarjet në Daraa u kthyen në pikën e nisjes së kryengritjes kundër regjimit të Bashar al-Assad dhe më pas të luftës civile siriane, një konflikt që zgjati më shumë se një dekadë dhe shkaktoi qindra mijëra viktima dhe zhvendosjen e miliona njerëzve.






















