24-vjeçari Klevis Gega ka përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe kanosur Daniel Pashon nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjetet sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Pasho, i cili deklaroi se po kanosej nëpërmjet platformave virtuale dhe se i kërkohej shuma prej 2 mijë eurosh.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Gega, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur Pashon, duke ushtruar presion ndaj tij për t’i dorëzuar paratë.
Sipas të dhënave, 24-vjeçari u arrestua në momentin kur do të merrte shumën e kërkuar.
Ndaj Klevis Gegës po kryhen hetime për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin e të gjitha veprimeve të kryera përmes profileve të falsifikuara.






















