Kronika 10 August 2026, 20:15 Nga VNA

Kur vrasja kthehet në normalitet të frikshëm: Çfarë na tregon dëshmia e të riut në Korçë që qëlloi për vdekje shokun e tij  

Ndaje në Whatsapp
Kur vrasja kthehet në normalitet të frikshëm: Çfarë

 

Për të kuptuar se deri në çfarë pike është banalizuar dhuna në shoqërinë shqiptare, ndonjëherë nuk duhen statistika apo teori sociologjike. Mjafton të lexosh dëshminë e një të riu që akuzohet se ka marrë një armë, ka kërkuar bashkëmoshatarin me të cilin ishte konfliktuar dhe e ka qëlluar.

Ajo që trondit në rrëfimin e Kristjan Sterjos për vrasjen e Johan Zukos në Korçë nuk është vetëm krimi, por normaliteti me të cilin ai e përshkruan.

Sipas versionit të tij, gjithçka nis nga një konflikt banal: një vajzë, disa fjalë, një shuplakë. Ditën e ngjarjes përplasen sërish. Sterjo largohet, shkon në shtëpi, merr armën që mbante të fshehur, e vendos në një thes, del të kërkojë Zukon, e gjen, e ndjek dhe qëllon. Pastaj fsheh armën, kthehet në shtëpi, ndërron rrobat dhe i fut në lavatriçe.

E gjitha rrëfehet pothuajse si renditja e punëve të një mbrëmjeje.

Dhe pikërisht këtu kjo ngjarje pushon së qeni vetëm kronikë e zezë dhe shndërrohet në një problem shoqëror.

Mes konfliktit dhe të shtënës kishte shumë momente për t’u ndalur: kur u largua, kur shkoi në shtëpi, kur mori armën, kur doli përsëri, kur kërkoi tjetrin dhe kur e ndoqi. Megjithatë, sipas dëshmisë së tij, asnjë prej këtyre kufijve nuk funksionoi.

Në një shoqëri normale, mes zemërimit dhe armës duhet të qëndrojnë familja, shkolla, komuniteti, frika nga ligji dhe bindja elementare se ka gjëra që thjesht nuk bëhen. Kur këto barriera bien, distanca mes një sherri banal dhe një tragjedie bëhet frikshëm e shkurtër.

Këtu fillon edhe përgjegjësia politike. Siguria nuk është vetëm të arrestosh autorin pasi arma është shkrepur. Një shtet ka një problem shumë më të thellë kur armët e paligjshme gjenden lehtësisht pranë qytetarëve dhe kur dhuna perceptohet si mënyrë për të zgjidhur një fyerje apo konflikt.

Nuk mund t’i faturohet politikës një krim individual. Por politika, institucionet, shkolla dhe mënyra se si funksionon hapësira publike ndërtojnë klimën e një shoqërie. Kur forca, arroganca dhe pandëshkueshmëria normalizohen, kufiri mes konfliktit dhe dhunës bëhet gjithnjë e më i brishtë.

Ndoshta kjo është pjesa më e frikshme e historisë së Korçës. Jo vetëm që një i ri akuzohet se vrau një tjetër, por se rruga drejt një jete të marrë mund të rrëfehet me kaq shumë normalitet: shkova në shtëpi, mora armën, dola, e kërkova, qëllova, fsheha armën, lava rrobat.

Kur vrasja fillon të tingëllojë si procedurë, problemi nuk është më vetëm në një dosje penale. Është në pasqyrën e shoqërisë që e prodhoi atë.

Video

Një festim goli u kthye në një moment të frikshëm për futbollistin brazilian Jacy Maranhão, gjatë ndeshjes mes Coritiba dhe Chapecoense në kampionatin brazilian. Mbrojtësi 29-vjeçar shënoi një gol në pjesën e parë dhe, në entuziazëm, vrapoi drejt tifozëve për ta festuar. Ai kapërceu barrierat reklamuese, por përfundoi duke rënë në një tunel të hapur që çonte drejt dhomave të zhveshjes së skuadrës kundërshtare. Maranhão u ngrit nga tuneli me ndihmën e stafit, por pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës dhe u zëvendësua në pjesën e dytë. Ironia më e madhe ishte se goli që ai po festonte u anulua më vonë nga VAR-i për shkak të një faulli në aksion.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e fuqishme të shkaktuara nga tajfuni “Dolphin” kanë shkaktuar situata të rrezikshme në provincën Zhejiang të Kinës. Një kamion u përmbys në një parkim si pasojë e erërave të forta. Pamjet e filmuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur mjeti ngrihet nga toka dhe përmbyset nga fuqia e erës. Tajfuni “Dolphin” solli paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona. Sipas raportimeve, ai është cikloni tropikal më i fuqishëm që ka goditur Kinën këtë vit.

Një avion privat i tipit Hawker Beechcraft 400A është përplasur me një automjet shërbimi në aeroportin Milano-Linate, në Itali. Përplasja nuk shkaktoi të lënduar. Ngjarja solli disa vonesa në operimet e aeroportit, të cilat po rikthehen gradualisht në normalitet. Dy fluturime që po mbërrinin në Linate u devijuan drejt aeroporteve Orio al Serio dhe Milano-Malpensa.

Situata e zjarreve në zonën e Krujës është përshkallëzuar, ndërsa flakët në Fshatin Halilaj dhe në Krastë po afrohen drejt zonave të banuara. Zjarri rrezikon të zbresë në drejtim të Halilajt, duke kërcënuar disa banesa. Në fokus janë edhe linjat e tensionit të lartë pranë fshatit Halilaj, të cilat po mbahen nën kontroll për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm. Për shkak të terrenit të thepisur malor, ndërhyrja nga toka është e vështirë. Forcat në terren po punojnë edhe me mjete rrethanore, ndërsa gjatë ditës operacioni për shuarjen e zjarrit është mbështetur edhe nga ajri.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme