Kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër ka shkaktuar një përplasje të fortë mes Beogradit dhe Tiranës.
Pas reagimit të ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha, i cili paralajmëroi se uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik ndaj Kosovës, Vuçiç deklaroi se bëhet fjalë për një çështje të brendshme të Serbisë.
“Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë”, tha presidenti serb.
Në debat ndërhyri edhe ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç, sipas të cilit Ibri nuk rrjedh nëpër Shqipëri dhe Tirana nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për t’i treguar Serbisë se si të menaxhojë burimet e saj ujore.
Përgjigjja e kryeministrit Edi Rama ishte e drejtpërdrejtë. Në një reagim në X, ai deklaroi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, por Kosova është shtet më vete dhe territori e burimet e saj natyrore nuk i përkasin Serbisë.
“Serbia e humbi Kosovën”, shkroi Rama, duke argumentuar se Ibri është një sistem ujor ndërkufitar dhe se vendimet e marra në një shtet nuk mund të shpërfillin pasojat që shkaktojnë në një tjetër.
“Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo argumentet diplomatike”, ironizoi Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë dhe integrimin e rajonit në BE, por shtoi se “fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë që fqinjët e Serbisë të pranojnë versionin e Serbisë për historinë”.






















