Kronika 21 September 2026, 18:58 Nga VNA

Nga Burgaj te Hita, historia e përplasjeve mes ministrave socialistë dhe drejtorëve të Policisë së Shtetit

Ndaje në Whatsapp
Nga Burgaj te Hita, historia e përplasjeve mes ministrave socialistë

Nga viti 2013 deri në vitin 2026, në 13 vite pushtet, Partia Socialiste ka ndërruar deri më tani tetë drejtorë të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Asnjëri prej tyre nuk e ka mbyllur të plotë mandatin 5-vjeçar. Në të shumtën e rasteve, largimet janë shoqëruar me përplasje mes ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të përgjithshëm, kryesisht për kontrollin mbi emërimet dhe mbi strukturën blu të policisë.

Përplasja e parë nisi mes Saimir Tahirit dhe Hysni Burgajt. Ministri i ri i sapoardhur kërkonte një frymë të re, ndërsa Burgaj ishte një drejtor i zgjedhur në kohën e Partisë Demokratike dhe ndaj të cilit Saimir Tahiri kishte bërë disa dalje publike nga selia e Partisë Socialiste. Pas disa muajsh, Hysni Burgaj dha dorëheqjen, duke i dhënë mundësinë Saimir Tahirit, ministrit më jetëgjatë të Brendshëm, të emëronte drejtorin që dëshironte.

Në krye të Policisë së Shtetit u emërua Artan Didi. PD akuzoi Tahirin se drejtori i ri nuk plotësonte kriteret ligjore, pasi nuk kishte kriterin e 15 viteve pa shkëputje në strukturat e uniformave blu. Kjo nuk e pengoi kryeministrin Edi Rama që propozimin e Saimir Tahirit ta miratonte në qeveri. Artan Didi ishte një nga të besuarit e Saimir Tahirit dhe mes të dyve nuk pati përplasje. Por ai nuk qëndroi gjatë në krye të Policisë së Shtetit. U emërua në nëntor 2013 dhe në mars 2015 dha dorëheqjen. Shkak u bë fshehja e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Bardhok Planajn.

Pasi Didi u largua, duke marrë koston e urdhër-arrestit të Bardhok Planajt, por edhe suksesin e ndërhyrjes në Lazarat më 16 qershor 2014, aty u pikas një emër i ri nga Saimir Tahiri. Haki Çako, në kohën e ndërhyrjes në Lazarat, ishte drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër. Për të mbajtur në vëmendje suksesin e operacionit në fshatin famëkeq, Saimir Tahiri emëroi Haki Çakon drejtor të Përgjithshëm më 16 prill 2015.

Saimir Tahiri u largua në vitin 2017 nga pozicioni i ministrit dhe në shtator nuk u rikthye më në detyrë. Vendin e tij e mori Fatmir Xhafaj. Pasi në disa dalje publike Xhafaj bëri përgjegjës drejtuesit e policisë për kanabizimin e vendit, ai nisi një fushatë shkarkimesh ndaj tyre duke përdorur firmën e Haki Çakos. Por, pavarësisht bindjes së Çakos, Xhafaj donte në krye të policisë një njeri besnik. Duke ditur se kishte një lloj komunikimi mes kryeministrit dhe drejtorit të policisë, ai nisi sulmin ndaj Haki Çakos dhe spostimin e tij në daljet publike.

Më 8 janar 2018, Haki Çako u shkarkua dhe vendin e tij e mori Ardi Veliu, rreth një muaj pas shkarkimit të Çakos. Teksa Fatmir Xhafaj iku, Ardi Veliu mbijetoi. Zërat thoshin se edhe ai kishte një lloj komunikimi me kryeministrin Rama. Pas Xhafajt erdhi Sandër Lleshaj, i cili nuk kishte asnjë akses real në vendimet e Ardi Veliut. Veliu vendoste vetë dhe ministri ishte thuajse i anashkaluar. Pas vrasjes së Klodian Rashës, kur protestat masive pushtuan Tiranën, kryeministri Rama bëri kurban Sandër Lleshajn, i cili dha dorëheqjen.

Vendin e Sandër Lleshajt e mori një nga njerëzit e afërt të kryeministrit, Bledi Çuçi. Këtu erdhi edhe shkarkimi i Ardi Veliut. Pas përplasjeve me Bledi Çuçin, më 5 tetor 2021, pas një letre dorëheqjeje që u bë virale për shkak të gabimeve drejtshkrimore, Ardi Veliu u largua nga posti i drejtorit të përgjithshëm. Gledis Nano u bë pasuesi i Veliut, por emërimi i tij nuk e kapi dot vitin. Pas 10 muajsh ai u shkarkua dhe vendin e tij e zuri Muhamet Rrumbullaku.

Nga shtatori 2022 deri në shtator 2024, Rrumbullaku drejtoi Policinë e Shtetit. Ai dha dorëheqjen në momentin kur ligji i ri për Policinë e Shtetit parashikonte që drejtori i përgjithshëm do të zgjidhej me procedurë konkurrimi.

Konkursi nxori fitues Ilir Prodën, në atë kohë drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan. Proda, ashtu si një pjesë e drejtorëve të tjerë, pati përplasje të forta me ministrin Ervin Hoxha. Përplasje që, sipas burimeve, kishin mbërritur deri te kryeministri Edi Rama. Por pas zgjedhjeve të vitit 2025, Proda doli fitues, pasi Ervin Hoxha nuk u rikonfirmua ministër i Brendshëm, megjithëse opozita e akuzonte si të lidhur me krimin dhe pretendonte se ishte emëruar në atë post nga Suel Çela dhe Ergys Agasi.

Albana Koçiu u bë ministre e Brendshme, por me devizën e vendosur nga kryeministri: “Me policinë nuk ke punë, merru me adresat”. Proda kishte pushtet absolut në emërime dhe në të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. Pas protestave të shumta të opozitës dhe pasi vila e ish-diktatorit Enver Hoxha u godit me molotov, Ilir Proda u shkarkua. Ndërkohë Albana Koçiu u largua dhe vendin e saj e zuri Besfort Lamallari.

Drejtor i Policisë u zgjodh Skender Hita, që më parë ishte drejtor i qarkut të Fierit, zonë e cila drejtohej politikisht nga Belinda Balluku. Sipas opozitës, Hita u emërua si shpërblim për zgjedhjet në Fier. Pozicioni i tij dukej i qetë dhe i fortë deri në momentin e shkarkimit të Besfort Lamallarit.

Shkarkimi i Lamallarit u lexua edhe si një goditje e kryeministrit Edi Rama ndaj klanit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ervin Demo, me sa duket, ka nisur herët përplasjen me kreun e Policisë së Shtetit, si për të treguar se nuk do të jetë si Lamallari.

Demo e ka nisur aktivitetin e tij si ministër i Brendshëm vrullshëm, me takime mediatike në Rinas dhe me zjarrfikësit, për të dhënë idenë e një impulsi të ri. Por vrasja e djeshme në Sarandë e Artan Myrtajt duket se ka ndezur një tjetër përplasje mes ministrave socialistë të Brendshëm dhe drejtorit të policisë.

Në një dalje publike, Ervin Demo kërkoi shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Sarandës. Pak minuta më vonë, si një kundërpërgjigje për t’i treguar se “këtu vendos unë”, Skender Hita lëshoi një deklaratë për mediat ku njoftoi nisjen e një rivlerësimi të performancës së komisariatit, por nuk lajmëroi shkarkimin e drejtuesve të tij.

Tani mbetet për t’u parë sa do të zgjasë dhe kush do të fitojë në këtë përplasje të re mes Ervin Demos dhe Skender Hitës.

Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në kohën e PS-së

1. Hysni Burgaj
2. Artan Didi
3. Haki Çako
4. Ardi Veliu
5. Gledis Nano
6. Muhamet Rrumbullaku
7. Ilir Proda
8. Skender Hita

Video

Refuzuan të fiknin cigaret elektronike, katër pasagjerë nxirren nga avioni i easyJet Një fluturim i easyJet nga Larnaka e Qipros drejt Birminghamit përfundoi me ndërhyrjen e policisë, pasi katër pasagjerë dyshohet se përdorën në mënyrë të përsëritur cigare elektronike, pavarësisht paralajmërimeve të ekuipazhit. Tre gra dhe një burrë u shoqëruan nga policia dhe u nxorën nga avioni pas mbërritjes në Britani. Sipas dëshmive të pasagjerëve, grupi kishte vijuar të përdorte cigaret elektronike edhe pas kërkesave të stafit për të ndaluar, ndërsa kishte pasur edhe ankesa nga udhëtarë të tjerë. Pamjet e filmuara në bord tregojnë momentin kur policia u kërkon katër personave të zbresin nga avioni. Incidenti shkaktoi një vonesë prej më shumë se 20 minutash, ndërsa pasagjerët e tjerë prisnin në pistë. Një pasagjere që filmoi ngjarjen tha se situata kishte irrituar shumë prej udhëtarëve dhe se disa fëmijë kishin nisur të qanin. EasyJet konfirmoi se fluturimi EZY6610, më 16 shtator, u prit nga policia pas mbërritjes për shkak të “një grupi pasagjerësh që shfaqën sjellje problematike në bord”.

Denoncimet e VNA hapin “pusetën” e tenderave në KQZ, një tjetër kompani kërkon shpjegime: Si u pikëzuam kështu?

Atmosfera në Kosovë gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së??

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme